Kenia, ekzekutohen 34 të krishterë

02/12/2014 00:00

Persona të armatosur kanë vrarë 36 punonjës guroresh në Kenia, në afërsi të qytetit verior Mandera.

Agresorët e armatosur ndanë myslimanët nga jomyslimanët dhe qëlluan ndaj këtyre të fundit duke i lënë të vdekur. Më herët, një person ishte vrarë në një bar të populluar me jomyslimanë, në një qytezë fqinje.

Militantët islamikë të grupit Al Shabab, me bazë në Somali, vranë 28 persona në një sulm që kishte si objektiv popullsinë e krishterë në të njëjtën zonë javën e kaluar.

Sulmi ndaj punëtorëve të guroreve ndodhi mëngjesin e së martës. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë se viktimat u kapën në befasi pas mesnatës, teksa ishin në gjumë në tendat e tyre.

Kryqi i Kuq në Kenia deklaroi në llogarinë e tij në Twitter se një grup agjentësh sigurie dhe një ekip i organizatës ndodhen tashmë në vendin e ngjarjes.

Agjencia e lajmeve “Reuters” citoi një dëshmitar të thoshte se shumica e viktimave ishin qëlluar në kokë, ndërsa katër prej tyre u ishte prerë koka.

Një ditë më parë, në orët e mëngjesit të së hënës, persona të armatosur sulmuan një bar në qytetin Uaxhir, duke qëlluar me armë e duke hedhur granata. Nga sulmi 1 person mbeti i vrarë dhe 12 të tjerë të plagosur.

Të dy sulmet janë marrë përsipër nga grupi Al Shabab. Konteja Mandera ndodhet në kufi me Somalinë dhe Etiopinë dhe dominohet nga somalezë që janë kryesisht myslimanë.

Top Channel