Obama kërkon 260 milionë USD për policinë

02/12/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama ka kërkuar 263 milionë dollarë për të përmirësuar përgatitjen e forcave të policisë, për të blerë kamera për uniformat dhe për të rivendosur besimin tek policia.

Presidenti Obama i kërkoi Kongresit fondet pas një seri protestash mbarëkombëtare ndaj padrejtësive të policisë.

Lokaliteti i Fergusonit në Misuri u përfshi nga protestat pasi juria vendosi të mos dënonte agjentin e policisë që qëlloi për vdekje një të ri me ngjyrë të çarmatosur.

Protestat u përhapën në mbarë Shtetet e Bashkuara dhe një manifestim masiv nga studentë e punëtorë u mbajt ditën e hënë.

“Ky nuk është një problem që ka të bëjë vetëm me rastin në Ferguson. Ky është një problem kombëtar, por një problem që zgjidhet”, deklaroi Obama.

Presidenti foli pas një takimi të zhvilluar me kryebashkiakët, aktivistë të të drejtave civile dhe zyrtarë të forcave të rendit në Shtëpinë e Bardhë.

Ata diskutuan mbi një program që aktualisht i siguron mjete taktike ushtarake departamenteve lokale të policisë, pa pagesë.

Zoti Obama tha se kishte kërkuar rekomandimet e agjencive federale ligjzbatuese për t’u siguruar që programi të mos çojë në krijimin e një policie të stilit ushtarak.

Forcat e policisë në Ferguson u kritikuan se përdorën dorë të hekurt në përballjen me protestat që u shkaktuan nga vrasja e Michael Brown në gusht.

Fondet e kërkuara nga presidenti do të shpenzohen në një periudhë 3-vjeçare dhe një pjesë e tyre do të shkojnë për blerjen e 50 mijë kamerave trupore për oficerët e policisë si dhe për reformimin e forcave ligjzbatuese.

Top Channel