ISIS, arrestohen gruaja dhe djali i Al Bagdadit

02/12/2014 00:00

Një nga bashkëshortet dhe një prej djemve të të ashtuquajturit lideri i Kalifatit të Shtetit Islamik, Abu Bakr al Bagdadi, janë arrestuar nga ushtria libaneze në kufirin mes Libanit dhe Sirisë.

Lajmin e bën të ditur e përditshmja libaneze “As Safir”, që saktëson se arrestimi është kryer pak ditë më parë në bashkëpunim me shërbime sekrete të huaja.

Sipas së përditshmes, gruaja dhe djali janë bllokuar nga shërbimet sekrete ushtarake në një kalim, teksa përpiqeshin të hynin në Liban nga Siria me dokumenta të falsifikuara.

Të dy ata janë dërguar në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes në Jarze, në kodrat në lindje të Beirutit, në rrugën që çon pikërisht drejt kufirit me Sirinë.

Shteti Islamik dhe Fronti Al Nusra, dega siriane e Al Kaedës, kryen gushtin e kaluar sulme në territorin libanez nga Siria, duke u përfshirë në përleshje të dhunshme me ushtrinë e Beirutit.

Më pas militantët u tërhoqën, por duke marrë peng rreth 30 ushtarë e policë, që kërcënojnë se do t’i vrasin nëse Libani nuk liron xhihadistët e shumtë që mban në burgjet e veta.

Nga mediat e Lindjes së Mesme mësohet se tre ushtarë janë ekzekutuar tashmë, dy prej të cilëve nga Al Nusra dhe tjetri nga Shteti Islamik.

Top Channel