Kryevepra e humbur, në sfondin e “Stuart Little”

02/12/2014 00:00

Edhe pse mori vetëm vlerësime modeste nga kritika në shfaqjen e tij në vitin 1999, tani zbulohet se filmi për fëmijë “Stuart Little” përmbante edhe një kryevepër.

Gergely Barki, një studiues i Galerisë Kombëtare Hungareze, ishte duke parë komedinë në fjalë me të bijën në vitin 2009, kur vuri re praninë e një pikture të humbur të artistit hungarez Robert Bereny në murin e familjes Little.

Thuhet se piktura ishte zhdukur në vitin 1920 dhe mendohet të jetë blerë nga një pasanik hebre, që u largua nga Hungaria para apo gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Fillimisht Barki nuk ishte i sigurtë nëse bëhej fjalë për këtë vepër, pasi më parë e kishte parë atë vetëm në një fotografi bardhezi. Për këtë arsye, ai kontaktoi studiot kinematografike që kishin realizuar filmin, “Sony” dhe “Columbia”.

Dy vite më vonë ai mori përgjigjen nga stilistja e filmit dhe doli se bëhej fjalë pikërisht për pikturën e humbur të Robert Bereny, “Zonja e fjetur me vazon e zezë”.

Stilistja, që e kishte ende pikturën në korridorin e shtëpisë së saj, ia shiti më vonë atë një koleksionisti arti, i cili do ta kthejë në Budapest këtë muaj, për ta nxjerrë në ankand. Çmimi fillestar është 110 mijë dollarë.

Top Channel