Rikthehen përmbytjet, probleme në disa qytete

02/12/2014 00:00

Reshjet e dendura të shiut përfshinë thuajse gjithë vendin duke shkaktuar probleme në shumë qytete. Vështirësitë më të mëdha janë krijuar në qytete dhe rrugët nacionale ku ka patur probleme me qarkullimin e automjeteve, pasi disa rrugë janë bllokuar për orë të tëra. Probleme më të shumta kanë qenë në Durrës, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër.

Durrës

Disa nga rrugët kryesore të qytetit, si “Skënderbej”, “Aleksandër Goga”, “Mujo Ulqinaku”, po dhe rrugë të tjera në plazh e periferi janë përmbytur duke vështirësuar deri ne izolim lëvizjen, veçanërisht daljen e nxënësve nga shkolla në mesditë.

Shumë qytetarë janë detyruar të ecin zbathur në rrugët e trotuaret e përmbytuara, ndërsa një pjesë e automjeteve me benzinë kanë pësuar defekt nga niveli i lartë i ujit në rrugë.

Të kënaqur nga kjo situatë duket se kanë qenë pronarët e karrotrecave të cilët janë vënë në lëvizje për të nxjerrë nga uji automjetet e fikura në mes të rrugës. Edhe pas pushimit të reshjeve, ujërat janë tërhequr me vështirësi nga rrjeti i kullimit.

Vlorë

Reshjet e shiut që kanë rënë në orët e para të mëngjesit kanë bërë që disa lagje të qytetit të Vlorës të përmbyten. Megjithë masat e marra nga Ndërmarrja e Shërbimeve me mjete dhe punonjës intensiteti i reshjeve të dendura ka përmbytur lagjet “24 Maji”, “Isa Boletini”, “1 Maji”, “29 Nëntori” .

Edhe pse hidrovori i qytetit ka qenë në gjendje pune nuk ka mundur të tërheqe ujin për shkak të bllokimit të kanalizimeve në qytet.

Fier

Në disa shkolla të Fierit nuk është arritur të bëhet mësim për shkak se oborret e shkollave kanë qenë të përmbytura nga reshjet e mëngjesit.

Shkolla “Jani Boçova” në lagjen “Afrim i Ri” ishte përmbytur nga reshjet e shumta që ranë gjatë gjithë natës.

Sipas drejtuesve të shkollës, përmbytja e oborit është shkaktuar si pasojë e bllokimit të kanaleve kulluese nga banorët e lagjes.

Nxënësit e kishin të pamundur futjen në ambientet e shkollës. Përmbytje ka patur edhe në lagjen “Sheq i Vogel” dhe në fshatrat Mbrostar e Rreth-Libofshë.

Gjirokastër

Janë dashur pak orë shi që uji të vërshojë me shpejtësi duke shkaktuar përmbytje në disa akse rrugore në Gjirokastër. Më problematike situata paraqitet në rrugën nacionale në hyrje të qytetit të Gjirokastrës ku bllokimi i kësaj rruge ka detyruar automjetet të kalojnë në një rrugë të improvizuar.

Ndërkohë një tjetër zonë problematike paraqitet dhe në vendin e njohur si Shkalla e Zezë, ku ka patur rrëshkitje të dherave, por pa krijuar vështirësi në qarkullimin e rrugor.

Top Channel