Avioni rus rrezikon impaktin me atë të NATO-s

02/12/2014 00:00

Një avion luftarak rus ka rrezikuar përplasjen me një avion “F-16” të NATO-s, gjatë një fluturimi në qiejtë e Norvegjisë, duke rrezikuar një përplasje fatale.

Ushtria norvegjeze, e cila e ka filmuar incidentin, ka publikuar në ditët e fundit videon, që mund të interpretohet si një tjetër provë e provokimeve të Rusisë.

Burime nga ushtria norvegjeze kanë deklaruar për “Wall Street Journal” se fillimisht aviacioni i saj kishte konstatuar praninë e xhetit rus dhe kishte ngritur dy “F-16” për të ndalur avancimin e tij në hapësirë ajrore ndërkombëtare.

Ushtria norvegjeze nuk ka preferuar të tregojë ditën e saktë të incidentit, por ka bërë me dije se mjeti luftarak rus ishte i tipit “Mig-31” dhe mund të kishte shkaktuar një katastrofë.

“Mund të kishim pasur një përplasje mes dy avionëve. Piloti ynë pati një reagim të natyrshëm”, ka deklaruar zëdhënësi i ushtrisë norvegjeze, Brynjar Stordal.

“Ne nuk e dimë nëse ky ishte një gabim i palës ruse, apo një shenjë e sjelljes agresive të saj”, komentoi ai për të përditshmen amerikane.

Në videon e publikuar nga forcat e armatosura norvegjeze dëgjohet piloti i vendit nordik të thotë “çfarë dreqin?” në momentin kur avioni rus i shfaqet përpara dhe më pas shihet të bëjë një manovër të shpejtë për të shmangur përplasjen.

Në ditët e fundit të tetorit, aviacioni norvegjez konstatoi praninë e dy avionëve të tjerë luftarakë rusë pranë lokalitetit Finnmark, në veri të vendit.

Ndryshimi ishte se avionët e asaj dite nuk ishin MiG-ët standardë, por “Su-34”, modeli më i fundit dhe më i fuqishëm që i është shtuar forcave ajrore ruse në fillim të vitit.

Top Channel