“Inteligjenca artificiale, rreziku ynë më i madh”

02/12/2014 00:00

Njeriu në luftë për ekzistencën e vet përballë krijesës së lindur nga vetë ai; inteligjenca artificiale. Duket më shumë si pikënisje e një skenari filmi fantashkencë hollivudian, por rreziku është real, të paktën për një ndër emrat më në zë të shkencës.

Profesori britanik, Stephen Hawking tha për BBC se zhvillimi i makinerive inteligjente të pavarura dhe në gjendje të mendojnë vetë, mund të rezultojë më fundin e njerëzimit.

Shkencëtari i famshëm, që prej vitesh vuan nga një sëmundje që i ka prekur neuronet, njohu dobinë e formave primitive që ekzistojnë aktualisht të inteligjencës artificiale, por tha se i trembej pasojave të ndërtimit të një inteligjence të tillë të krahasuar me atë njerëzore, ose edhe më tej.

“Do të bëheshin krejtësisht të pavarura dhe do të zhvillonin edhe më tej veten e tyre dhe njerëzit, të kushtëzuar biologjikisht në evolucion do ta kishin të pamundur të përballeshin me këto ‘krijesa”, tha Hawking.

Megjithatë ka të tjerë që i cilësojnë si të ekzagjeruara të tilla pretendime. Njëri prej të cilëve është Rollo Carpenter, krijuesi i Cleverbot.

“Jemi shumë larg zhvillimit të një algoritmi të tillë që të mundësonte një inteligjencë të plotë dhe të pavarur artificiale. Për momentin nuk kemi teknologjinë e nevojshme, por besoj se kjo do të ndodhë brenda disa dekadave”, thotë ai.

Top Channel