UEFA, Apeli lë në fuqi vendimin e Disiplinës për ndeshjen Serbi-Shqipëri

02/12/2014 00:00

Komisioni i Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Disiplinës së UEFA-s duke i dhënë fitoren në tavolinë kombëtares serbe.

Mesa duket, as anëtarët e këtij komisioni nuk janë bindur nga argumentat e FSHF-së për racizëm dhe dhunë të tifozëve serbë ndaj lojtarëve kuqezi.

Në këtë mënyrë, Komisioni i Apelit nuk ka ndryshuar vendimin e Shkallës së Parë, duke lënë në fuqi humbjen 3 – 0 në tavolinë për Shqipërinë, heqjen e 3 pikëve kombëtare serbe si dhe dënimin e të dy kombëtareve me nga 100 mijë euro gjobë.

Vendimi i zbardhur i Komisionit të Apelit pritet të vijë në adresë të FSHF-së para datës 25 dhjetor.

Meqë edhe Apeli nuk përmbushi pritshmëritë tona për të marrë fitoren e ndeshjes në tavolinë, atëherë brenda muajit janar të vitit të ardhshëm Federata Shqiptare e Futbollit duhet t’i drejtohet Këshillit të Arbitrazhit Sportiv, që është edhe shkalla më e lartë gjykatave sportive.

Top Channel