SHBA, diskutime me BE për sanksione ndaj Rusisë

02/12/2014 00:00

Kryediplomati amerikan John Kerry do të flasë me aleatët europianë këtë javë në lidhje me vendosjen e sanksioneve të tjera ndaj Rusisë, nëse separatistët prorusë në Ukrainë nuk do të ndalin dhunën, bëri të ditur një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit këtë të martë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, me 28 kombe anëtare, kanë vendosur sanksione ndaj sektorëve financiarë, të mbrojtjes dhe të energjisë në Rusi, që pas aneksimit të Krimesë nga Moska dhe mbështetjen e vazhdueshme të saj ndaj separatistëve në lindje të Ukrainës.

“Bisedimet janë të vazhdueshme me BE-në në lidhje me zgjerimin e sanksioneve”, tha zyrtari i DASH, i cili shoqëronte Sekretarin e Shtetit Kerry në takimin me ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel këtë të martë.

“Do të përpiqemi të përcaktojmë se çfarë hapash të ardhshme do të ndërmarrim, veçanërisht si kundërpërgjigje e furnizimeve të vazhdueshme me armatime të rënda, që vijnë nga përtej kufirit me Rusinë”, tha zyrtari, i cili nuk preferoi të identifikohej.

Por, diplomatët e BE-së thonë se ka shumë pak dëshirë brenda bllokut për të vendosur sanksione të reja, për sa kohë që nuk ka ndonjë përkeqësim të rëndë të situatës në Ukrainë. Rusia është furnizuesi kryesor i Europës me gaz dhe energji, ndaj dhe shumë vende të BE-së i frikësohen faktit se sanksionet dhe hakmarrja ruse mund të dëmtojë edhe ekonomitë e vendeve të tyre.

“Roli ynë qëndron gjithashtu në gjetjen e mënyrave për dialog me Rusinë”, tha shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, përpara reporterëve në takimin e NATO-s, kur u pyet në lidhje me sanksionet e reja të mundshme.

Mogherini theksoi se BE sapo ka vendosur sanksione të reja ndaj separatistëve. Kreu i ri i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, tha se ende nuk ka ardhur një pikë që të kërkojë më shumë masa.

Zyrtari amerikan shtoi se Uashingtoni është i gatshëm të heqë sanksionet nëse Rusia do të përmbushë angazhimet e saj sipas marrëveshjes së armëpushimit në Minsk. Kombinimi i sanksioneve me uljen e çmimit të naftës dhe keqmenaxhimin e përgjithshëm po shkaktojnë një “efekt intensiv” ndaj ekonomisë ruse, shtoi zyrtari amerikan.

“Kjo gjë mund të shihet në miliardat që ata duhet të shpenzojnë për të mbrojtur rublën, e cila vazhdon rënien e lirë. Mund ta shihni gjithashtu edhe në normat e larta të inflacionit brenda vendit”.

Të martën, ushtria e Ukrainës dhe forcat separatiste ranë “parimisht” dakord për një armëpushim të ri duke nisur nga 5 dhjetori në rajonin e kontrolluar prej rebelëve, Luhansk, shtoi kreu i grupit të sigurisë, OSBE. Armëpushimi origjinal në lindje të Ukrainës, më 5 shtator në Minsk, është shkelur vazhdimisht.

Top Channel