Ukrainë, 3 teknokratë të huaj për kabinetin e ri qeveritar

02/12/2014 00:00

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko u dha shtetësinë ukrainase 3 teknokratëve të huaj, të cilët janë kandidatë për pozicione të rëndësishme në kabinetin e qeverisë së re të udhëhequr nga kryeministri Yatseniuk, e që do të përpiqen të shmangin disa kërcënime të rëndësishme ekonomike dhe mbrojtëse.

Parlamenti pritet të votojë për këto kandidatura ditën e martë, ndërsa Kievi është vendosur në presion për të formuar qeverinë e re sa më shpejt të jetë e mundur.

Ukrainës i janë ofruar miliarda dollarë ndihma nga huadhënësit ndërkombëtarë, me kushtin që Kievi të implementojë një program të gjerë reformash ekonomike, ndaj dhe Poroshenko tha se administrata e tij do të përfitojë nga përfshirja e specialistëve ndërkombëtarë.

“Ukraina përballet me një seri të jashtëzakonshme sfidash. Një situatë ekstremisht të vështirë ekonomike, agresionin rus, nevojën për reforma radikale dhe luftën kundër korrupsionit. Të gjitha këto kanë nevojë për zgjidhje inovative në qeveri”, tha ai në një deklaratë. “Këto zgjidhje nënkuptojnë kërkimin e kandidatëve për ministra jo vetëm brenda Ukrainës, por edhe jashtë saj”, shtoi më tej ai.

Njëri prej të treve është Natalie Jaresko, një shtetase amerikane dhe shefe ekzekutive e një grupi privat kapitali, “Horizon Capital”. Ajo ka punuar në Ukrainë për më shumë se 20 vjet, pasi ka mbajtur disa pozicione të rëndësishme ekonomike në Departamentin amerikan të Shtetit.

Dy të tjerët janë lituanezi Aivaras Abromavicius, një partner në firmën e investimeve “East Capital”, dhe gjeorgjiani Aleksander Kvitashvili, i cili ka shërbyer si ministër i Shëndetësisë dhe ministër i Punës në Tbilisi.

Kryeministri Arseniy Yatseniuk dorëzoi listën e kandidatëve të nominuar nga koalicioni në Parlament, në pritje të votëbesimit. Mes të tjerëve, Jaresko kandidon për rolin e ministres së Financave, Abromavicius për ministër Ekonomie dhe Kvitashvili si ministër i Shëndetësisë.

Ndërkohë, Presidenti Poroshenko ka nominuar Pavlo Klimkin për të qëndruar si ministër i Jashtëm, ndërsa Stepan Poltorak si ministër i Mbrojtjes në qeverinë e re, të dy këta ministra në detyrë.

Top Channel