Lideri i opozitës greke, Alexis Tsipras, premtoi këtë të martë se nëse zgjidhej, ai do të anulojë menjëherë programin e shpëtimit të vendit nga BE-FMN, pa pritur për konkluzionet e bisedimeve të ardhshme me huadhënësit.

Angazhimi i Tsipras është në kontrast të thellë me planin e qeverisë konservatore, që synon një dalje të negociuar nga programi aspak popullor i shpëtimit prej 240 miliardë eurosh, gjë që ka kërkuar vite të tëra masash drastike, përfshi këtu edhe shkurtim të pagave.

Greqia mund të përballet me zgjedhjet e parakohshme vitin e ardhshëm, në varësi të rezultatit të zgjedhjeve për presidentin e ri të vendit. Sondazhi i fundit nga agjencia “Pulse” tregon se Syriza, partia radikale e majtë që udhëhiqet prej Tsipras, mund të fitonte 29,5 përqind të votave, nëse zgjedhjet kombëtare do të mbaheshin tani.

“Do ta zëvendësojnë programin e shpëtimit me programin e Syrizas që nga dita e parë e qeverisë sonë, përpara dhe pa marrë parasysh konkluzionet e negociatave”, tha në një konferencë për shtyp Tsipras. “Ky program synon shërimin e plagëve tona dhe rinisjen e ekonomisë dhe do të implementohet pavarësisht rezultateve të procesit të vështirë të negociatave, gjë që ne e dimë se nuk do të jetë i lehtë”.

Plani i Syrizas për të përmbysur shkurtimet shtrënguese përfshijnë edhe rritjen e pagës minimale dhe rikthimin e shpërblimet e pensioneve për Krishtlindje.

Tsipras përsëriti thirrjen e tij ndaj Bashkimit Europian për të falur një pjesë të borxhit grek. Në një intervistë televizive gjatë së hënës, ai tha se tregjet e obligacioneve do të qëndronin “agresive” për Greqinë, deri kur borxhi i saj të konsiderohej i qëndrueshëm.

Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin Antonis Samaras se ka përgëzuar dhe mirëpritur kërkesat e BE-së dhe FMN-së në rishikimin e fundit të programit të shpëtimit të vendit.

Top Channel