Efektet e sanksioneve, ekonomia ruse pranë reçesionit

02/12/2014 00:00

Sanksionet e Perëndimit dhe kriza në çmimin e naftës po japin gradualisht efektet e tyre në ekonominë ruse dhe autoritetet në Moskë paralajmëruan rënien e ekonomisë në reçesion.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik rishikoi parashikimet duke deklaruar se për 2015 ekonomia vendase pritet të tkurret me 0.8 përqind, duke rrëzuar një parashikim të mëhershëm që bënte fjalë për një rritje prej 1.2 përqind po për 2015.

Shkak për rënien në reçesion është rënia e të ardhurave të siguruara nga industria e naftës dhe e gazit, që përbëjnë 50 përqind të Prodhimit të Brendshëm të vendit. Kriza do të reflektohet edhe në sektorin e ndërtimit, që sipas parashikimeve do të tkurret me 2.8 përqind.

Me këtë parashikim, autoritetet ruse pranojnë për herë të parë se ekonomia do të bjerë.

Të hënën, rubla ruse pësoi zhvlerësimin më të madh brenda një dite, që nga viti 1998. Ajo humbi 9 pikë përballë dollarit amerikan dhe në total këtë vit është zhvlerësuar në 40 përqind.

Top Channel