Debitorët e energjisë, s’ka falje, Qeveria ofron skemë për pagesë me këste

02/12/2014 00:00

Për familjarët që kanë grumbulluar disa qindra mijë lekë debi nga
mospagesa e energjisë elektrike, bashke me kamatë-vonesat, Qeveria ka
miratuar një skemë të re sipas së cilës kjo shumë mund të shlyhet përmes
kësteve, e shtrirë në kohë.

‘Kujtdo që i janë ndërprerë dritat për këtë arsye të shkojnë pranë zyrave të Shërbimit të Klientit të pranojë pagesën me këste prej 2500 lekësh të pjesës së debisë së akumuluar dhe patjetër që energjia do të lidhet. Për familjet në nevojë do të ketë një këst prej 1 mijë lekësh të reja mbi faturën korente”, tha Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë.

Vlera e këstit mujor do të negociohet rast pas rasti nga shoqëria, por në çdo rast nuk mund të jetë më e vogël se 2,500 lekë në muaj për familjet debitore dhe 1,000 lekë për familjet e përfshira në skemën e ndihmës ekonomike.

Nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes, shoqëria nuk do të llogarisë më kamatë-vonesa për periudhën kohore që parashikohet për ekzekutimin e plotë të detyrimit. Kurse për familjet që bien dakord të shlyejnë menjëherë të gjithë detyrimin e prapambetur, Operatori i Shpërndarjes do të aplikojë zbritje të vlerës së kamatë-vonesës.

“Të gjithë ata konsumatorë që kanë grumbulluar debi të mëdha, deri në 1 mars ekziston mundësia që nëse e paguajnë të gjithë shumën e debisë do t’i zbritet 80 % e kamatë-vonesave. Pra nëse paguan vlerën e principalit, paguan vetëm 20 % të kamatës”, tha Gjiknuri.

Ky kriter do të aplikohet edhe në rastet kur detyrimi i prapambetur përfaqësohet vetëm nga kamatë-vonesa. Në rast të moszbatimit të kushteve, shoqëria thotë se marrëveshja ndërpritet dhe konsumatorëve u ndërpritet energjia deri në pagesën e debisë përfshirë kamatë-vonesat.

Skema e re u bë publike nga ministri i Energjisë gjatë një aksioni me administratorin e ri të Operatorit të Shpërndarjes, Adrian Çela, i cili zëvendësoi në këtë post Arben Seferin, i cili dhe doreheqjen nga detyra te henen. 

Top Channel