‘Aleanca’ ekonomike Rusi-Turqi; një sërë marrëveshjesh mes dy vendeve

02/12/2014 00:00

Kur në mes është Siria, Turqia dhe Rusia ndajnë qendrime krejtësisht të
kundërta, por përsa i përket ekonomisë, dy vendet kanë shumë pika të
përbashkëta për të diskutuar.

Me derën e mbyllur nga Perëndimi, Rusia është në kërkim të tregjeve të reja për naftën dhe gazin e saj, ndërsa për Turqinë oferta është tunduese dhe Ankaraja kërkon të shfrytëzojë në maksimum atë.

Këtyre qëllimeve u shërbeu edhe vizita e presidentit rus, Vladimir Putin në Ankara ku së bashku me presidentin turk, Recep Taip Erdogan nënshkroi një sërë marrëveshjesh në fushën ekonomike.

Falë këtyre marrëveshjeve, nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Rusia angazhohet që jo vetëm të garantojë sasinë e gazit për të cilën ka nevojë tregu i madh turk, por edhe të reduktojë me 6 përqind çmimin me të cilin do ta shesë atë.

Megjithatë, gazi nuk është e vetmja fushë bashkëpunimi mes dy vendeve dhe marrëveshje u nënshkruan edhe në fusha të tjera që lehtësojnë shkëmbimet tregtare mes tyre, duke lënë mënjanë dekada të tëra armiqësi.

Presidenti turk, Recep Taip Erdogan tha se synimi është që volumi i shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve, nga 33 miliard dollarë që është aktualisht, të rritet në 100 miliard deri në vitin 2023.

Top Channel