Franca njeh simbolikisht Palestinën shtet të pavarur

02/12/2014 00:00

Ligjvënësit francezë kanë votuar në favor të njohjes së Palestinës si shtet i pavarur gjatë kësaj të marte, një lëvizje simbolike që nuk do të ndikojë menjëherë në qëndrimin diplomatik të Francës, por që demonstron një padurim gjithnjë e në rritje të Europës në lidhje me ngërçin e procesis të paqes në Lindjen e Mesme.

Mocioni, i cili vjen pas votimeve të ngjashme në Britani, Spanjë dhe Irlandë, ka marrë mbështetjen e 339 deputetëve dhe 151 të tjerë kanë votuar kundër.

Ndërkohë që shumë vende në zhvillim e njohin Palestinën si një shtet më vete, shumica e vendeve të Europës Perëndimore nuk e bëjnë diçka të tillë, por mbështesin pozicionet e Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara se një shtet i pavarur palestinez duhet të jetë frut i bisedimeve të negociuara me Izraelin.

Vendet europiane kanë shfaqur së fundi irritimin gjithnjë e në rritje me shtetin hebre, i cili – që prej ngecies së bisedimeve të fundit të sponsorizuara nga SHBA-të në prill, – ka bërë presion me programin e vendstrehimeve hebreje në territorin që palestinezët e kërkojnë për shtetin e tyre.

Palestinezët thonë se negociatat kanë dështuar dhe se ata nuk kanë zgjedhje tjetër, veç se të kërkojnë pavarësinë e njëanshme.

Në tetor, Suedia u bë vendi i parë i Europës Perëndimore që njohu Palestinën, ndërsa Parlamentet në Spanjë, Britani dhe Irlandë zhvilluan votime simbolike, pas të cilave ata mbështetën rezolutat jodetyruese në favor të njohjes së shtetit palestinez.

Izraeli i ka kundërshtuar me forcë të gjitha këto lëvizje, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu e ka konsideruar votimin e francezëve si “një gabim tepër të rëndë”.

Mocioni i propozuar nga socialistët në pushtet dhe që u mbështet nga partitë e majta, por edhe disa konservatore, i kërkon qeverisë të “përdorë njohjen e shtetit palestinez, me synimin për ta zgjidhur konfliktin njëherë e përgjithmonë”.

Duke folur në Parlament përpara votimit, ministri i Jashtëm Laurent Fabius tha se qeveria nuk do të ndikohet nga votimi. Gjithsesi, ai tha se “status quo”-ja aktuale është e papranueshme dhe se Franca do ta njohë Palestinën si shtet të pavarur pa një zgjidhje të negociuar, nëse shtysa e fundit diplomatike prej tyre do të dështojë.

Ai doli në mbrojtje të një afati 2-vjeçar për të rinisur dhe përfunduar këto negociata. Parisi po punon me Britaninë dhe Gjermaninë në hartimin e një rezolute për këto negociata, por këto punime mund të përshpejtohen nëse rezoluta e hartuar nga palestinezët do të miratohet në OKB.

Top Channel