Arjola Dedaj, atletja dhe balerina paralimpike shqiptare

02/12/2014 00:00

Ajo ka një energji të natyrshme, që e ndihmon të mos ndalet përpara asgjëje. Përkundrazi, me sfidat e jetës përballet me aq forcë dhe pozitivitet, sa që ka arritur t’i kthejë në pika të forta.

Arjola Dedaj, 33-vjeçarja shqiptare që jeton prej 15 vitesh në Itali, është kampione paralimpike e Atletikës, balerinë e talentuar me shumë çmime të fituara, e gjithashtu edhe një lojtare e fortë bejsbolli.

Defekti i lindur në të dy sytë i ka kufizuar shikimin, por nuk e ka penguar aspak, që të marrë nga jeta më të mirën. Jetë, të cilën Arjola e shijon në maksimum nëpërmjet sportit dhe pasioneve të saj të shumta.

Kur ishte ende në moshë të vogël, Arjola u diagnostikua me retinë pigmentoze, problem në sy, i cili iu përkeqësua me kalimin e viteve. Tashmë ka vetëm perceptimin e errësirës dhe dritës. Por, ajo ia ka dalë mbanë të përballet me këtë fakt.

Madje, ia ka dalë mbanë aq mirë, sa që edhe pse stërvitet vetëm prej dy vitesh, ia doli që në Kampionatin Europian Paralimpik të fitojë tri medalje. Dy argjendi, njërën në kërcim së larti dhe tjetrën në garën 200 metra, si dhe një bronxi në 100 metra.

Tashmë Arjola ka shumë plane dhe projekte për të ardhmen. Ai më i rëndësishmi është pjesëmarrja në Kampionatin Botëror Paralimpik, në tetor të vitit që vjen. Deri atëherë, Arjola ka shumë punë për të bërë. Siç thotë edhe vetë ajo, “do të ishte shumë më mirë nëse dita do të kishte 48 orë, pasi koha për të nuk është kurrë e mjaftueshme”.

Top Channel