Izrael në zgjedhje. Shkarkohen 2 ministra, shpërndahet Parlamenti

02/12/2014 00:00

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk ka pritur gjatë, pas mosmarrëveshje brenda koalicionit të tij që çuan edhe në mosmiratimin e buxhetit për vitin 2015, dhe menjëherë ka shkarkuar dy ministra kyç të kabintetit, atë të Financës dhe të Drejtësisë.

Sipas raportimeve të fundit, Netanyahu është shprehur se Yair Lapid dhe Tzipi Livni kanë “sulmuar rëndë” qoftë figurën e tij si kryeministër, ashtu edhe qeverinë e koalicionit, ndaj dhe ka njoftuar se do të shpërndajë Parlamentin, duke kërkuar kështu zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme.

Në synimin e tij, Netanyahu kërkon “të marrë një mandat të qartë nga populli për të udhëhequr Izraelin”. Marrëdhëniet brenda koalicionit janë përkeqësuar pas një serie politikash kontroverse me natyrë ekonomike dhe politike.

Qeveria e Netanyahut, e cila dominohet nga e djathta dhe që erdhi në pushtet në fillim të vitit të kaluar, është shthurur nga çështje tepër të rëndësishme, përfshi edhe buxhetin e vitit 2015. Ai tha më herët gjatë së hënës se mund të shpallte zgjedhjet e parakohshme, nëse ministrat nuk do të ndalnin sulmin ndaj politikave të qeverisë.

Ministri i Jashtëm, Avigdor Lieberman, kreu partisë së ekstremit të djathtë “Yisrael Beitenu”, tha në një konferencë për shtyp se “zgjedhjet tashmë janë një fakt”.

“Po përballemi me shumë sfida në arenën ndërkombëtare, ndërkohë që terrorizmi po ngre krye gjithashtu. Ne duhej të ishim të gjithë bashkë tani, por përkundrazi po i drejtohemi një lufte (fushatës elektorale) për disa muaj”, tha ai, duke iu referuar tensioneve në rritje dhe dhunës së palestinezëve.

Një mandat i ri do t’i jepte Netanyahut më shumë liri veprimi brenda vendit, për të vijuar me politikën e tij të blloqeve të banimit në tokat e pushtuara nga palestinezët, të cilat synohen nga këta të fundit të jenë pjesë e shtetit të tyre të pavarur; por edhe për një projektligj kontrovers e shumë të debatuar për ta deklaruar Izraelin një komb-shtet hebre, gjë që kritikët e konsiderojnë si një ligj diskriminues ndaj minoritetit prej 20 përqind të arabëve në vend.

Duke qenë se buxheti për vitin e ardhshëm nuk u dakordësua dhe rritja ekonomike po ngadalëson për shkak të luftës në Gaza gjatë muajve korrik-gusht, rebeli më i fuqishëm i koalicionit, ministri i Financave (i qendrës) Yair Lapid tha se Netanyahu po e fut Izraelin drejt “zgjedhjeve të panevojshme”.

Lideri i partisë “Yesh Atid” e akuzoi Netanyahun se ka bllokuar reformat e propozuar prej tij për strehim. “Kjo qeveri i premtoi popullit të Izraelit se do të kalonte një buxhet social dhe se do të ulte kostot e jetesës. Kryeministri zgjodhi të veprojë në mënyrë të papërgjegjshme, e të mos i përmbushë premtimet e tij para publikut”, tha Lapid në një konferencë për energjinë në Tel Aviv.

Disa analistë thonë se zgjedhjet mund të mbahen në fillim të muajit mars.

Top Channel