Skema e pagesës së energjisë për debitorët. Basha: Fitorja e protestës

02/12/2014 00:00

Partia Demokratike e quan një fitore të parë vendosjen e skemës që u lejon qytetarëve në pamundësi ekonomike shlyerjen me këste të faturave të prapambetura të energjisë.

Në analizën e Lulzim Bashës në themel të kësaj fitoreje është protesta e 22 nëntorit.

“Tërheqja që bëri sot Edi Rama nuk është një zgjedhje e tij, të jemi të qartë. I gjendur përballë sovranit që nuk e mban dot me policë, sado t’i shtosh ata, ai u detyrua të sprapset. Prandaj, kjo është një fitore e qytetarëve. Është një fitore e bashkimit të zërit të qytetarëve në protestë. Kjo e sotmja është një arritje e demokracisë, e protestës dhe bashkimit të zërit të qytetarëve si fuqi supreme dhe e papërballueshme nga çdo qeveri. Ky është mësimi sot”, deklaroi Basha.

Por pavarësisht vendosjes së skemës për shlyrjen me këste të detyrimeve për energjinë, të propozuar më herët nga opozita, kryetari Basha  thotë se kjo është një zgjidhje e jo e plotë. Sipas Partisë Demokratike zgjidhja përfundimtare është:

1. Falja e kamatëvonesave të faturave abuzive
2. Pezullimi i pagesës për faturat me ankesa për mbifaturim dhe mosndërprerjen e energjisë
3. Ngritja e një strukture për verifikim të shpejtë të ankesave për mbifaturim.

“Partia Demokratike i inkurajon qytetarët dhe çdo familje në vend, të shlyejnë detyrimet e njohura dhe të pakontestuara të energjisë elektrike. Por ne nuk do të lejojmë për asnjë moment eksperimente kriminale mbi shoqërinë, mbi qytetarët, pabarazinë para ligjit dhe dhunimin e të drejtave themelore të garantuara nga Kushtetuta dhe ligji”, u shpreh Basha.

Zgjidhja e vetme për të arritur qëllimin përfundimtar, sipas Kryetarit të Partisë Demokratike është protesta.

“Protesta jonë e drejtë, protesta e qytetarëve do të vazhdojë derisa të gjitha kamatëvonesat të falen e të eleminohen nga sistemi i faturimit bashkë me faturat abuzive. Vetëm protestat do ta ndalin planin e çmendur të Edi Ramës për rritjen e çmimit të energjisë, rritjen e taksave dhe përkeqësimin e mëtejshëm të ekonomisë, që është futur tashmë në recensionin Rama-Meta, përmes politikave të tyre të papërgjegjshme”, tha kreu i demokratëve.

Top Channel