PD kundër skemës: Legjitimon kamatvonesat dhe faturat abuzive

02/12/2014 00:00

Për Partinë Demokratike skema e publikuar nga qeveria nuk është e mjaftueshme dhe legjitimon kamatvonesat dhe faturat abuzive.

Kreu i demokratëve, Lulzim Basha doli në një konferencë pak pas zbardhjes së skemës së pagesës së energjisë elektrike për të gjithë debitorët familjarë nga ana e Kryeministrit Rama.

“Dy fjalë përshkruajnë përpjekjen e dëshpëruar të kryeministrit sot. Hi syve. Asnjë zgjidhje nuk ofron me gjasme skemën e prezantuar. Protesta masive qytetare e 22 nëntorit në Tiranë, marshimi kundër padrejtësisë, e detyroi të bënte një hap pas, por Rama e la sërish lakun në fytin e të pamundurve. Ai vazhdon të lërë në fuqi faturat abuzive dhe kamatvonesat mbi to. U thotë qytetarëve se, nëse paguajnë gjobën e padrejtë; malin me kamatvonesa mbi faturat abuzive; nëse e paguajnë në dorë, atëherë do të kenë ulje. Vetëm gangsterët sillen kështu”, tha Basha.

Sipas demokratëve mijëra familje jetojnë në kushte ekstreme dhe nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë elektrike.

“Me çfarë t’i paguajnë, kur nuk ka hapur asnjë vend pune, por ka mbyllur – sipas INSTAT-it – 22 mijë të tilla, kur në fakt shifra është shumë më e lartë. Me çfarë të paguajnë, kur rrogat nuk janë rritur, zyrtarisht janë ngrirë. As pensionet nuk janë rritur, por çmimet e taksat janë rritur. Me çfarë t’i paguajnë?! Premtoi dritën e parajsës, por solli errësirën e ferrit. Premtoi ulje të çmimit të energjisë, me uljen drastike me 6% të TVSH-së. Mos kujtojë se shqiptarët kanë harruar. Nuk e bëri dhe tani po bën gati rritjen e çmimin të energjisë. Vetë u kërkoi qytetarëve të mos paguajnë faturat e energjisë, u kërkoi që të mos i njohin faturat e energjisë, sepse kur të vinte ai në pushtet do t’i rishikonte. Jo vetëm nuk e ka bërë këtë, por ka mbjellë në çdo familje të vendit mjerimin e faturës abuzive, e sot mbi to kamatvonesat abuzive. Të gjithë këtë skemë kriminale, Kryeministri e vuri në jetë pasi, në mënyrë korruptive, fali apo ndoshta ndau 600 milionë euro të shqiptarëve, detyrime të njohura nga hajdutja më e madhe e kohërave, kompania CEZ sh.a. në Shqipëri”, theksoi më tej Basha.

Më herët opozita e quajti një fitore të parë vendosjen e skemës që u lejon qytetarëve në pamundësi ekonomike shlyerjen me këste të faturave të prapambetura të energjisë. Në analizën e Lulzim Bashës në themel të kësaj fitoreje është protesta e 22 nëntorit.

“Kjo është politika e Edi Ramës me dritat, me energjinë. Prandaj sot, në emër të Shqipërisë në protestë, po përsëris kërkesën tonë, kërkesën e qytetarëve shqiptarë. Fali kamatëvonesat e faturave abuzive, që the se do t’i anuloje sa ishe në fushatë. Mos e rrit çmimin e energjisë asnjë qindarkë, por mbaj premtimin për uljen e tij. Merr masa të menjëhershme për pezullimin e çdo fature abuzive dhe adresimin me precedencë dhe urgjencë të ankesave të qytetarëve për ato fatura edhe korruptive të OSHEE-së. Ky regjim, që nuk bashkon por fut ndasi mes qytetarëve, duhet të ndalet. Dhe do të ndalet”, përfundoi fjalën e tij kreu i opozitës.

Top Channel