Maqedoni, Kuvendit i propozohet heqja e mandateve të opozitës

02/12/2014 00:00

Pas bojkotit gjashtëmujor të Kuvendit, Komisioni parlamentar për çështjen e mandateve dhe imuniteteve, i ka propozuar të martën Kuvendit heqjen e mandateve të 31 deputetëve maqedonas të opozitës, që nuk marrin pjesë në punën e institucionit ligjvënës që nga konstituimi i përbërjes së re parlamentare.

“Këta deputetë, në një periudhë prej më shumë se 6 muajsh, nuk kanë marrë pjesë në asnjë nga 40 seancat gjithsej të Parlamentit dhe mungesat nuk i kanë arsyetuar te kryetari i Kuvendit. Gjithashtu nuk kanë marrë pjesë as në punën e komisioneve parlamentare, edhe pse kanë të drejtë dhe detyrim që të marrin pjesë si deputetë të zgjedhur”, tha Aleksandar Nikolovski, kryetar i Komisionit për çështjen e mandateve dhe imuniteteve.

Procedura për heqjen e mandateve të deputetëve opozitarë duhet të miratohet nga Kuvendi, ndërsa kryeparlamentari Trajko Veljanovski është i detyruar, që propozimin ta vendosë për shqyrtim në seancën plenare të radhës. Megjithatë, kjo seancë nuk pritet të thirret para mbledhjes së Këshillit të Evropës, që mbahet gjatë këtij muaji, ku duhet të vendoset lidhur me rekomandimin për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë. Ndërkohë, lideri i LSDM-së Zoran Zaev ka thënë se opozita është duke pritur prej gjashtë muajsh vendimin e Parlamentit, për konstatimin e lënies së mandateve nga deputetët e saj.

“Që nga 10 marsi, jemi duke kërkuar nga Kuvendi që t’i ndërpresë mandatet e deputetëve tanë opozitarë dhe, për këtë arsye, muaj më parë ne dorëzuam dorëheqjet në Parlament. Mbetet që shumica parlamentare të sjellë vendimin. Cilido qoftë vendimi i mazhorancës, ne do ta respektojmë”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

31 deputetë të opozitës maqedonase hoqën dorë nga mandatet e tyre, menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të prillit, me arsyetimin se procesi zgjedhor ishte i parregullt. Nëse Parlamenti miraton heqjen e e mandateve të deputetëve opozitarë, nuk përjashtohet mundësia që Maqedonia të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.

Top Channel