Presidenti Nishani i akordon titullin “Nderi i Kombit”, “Normales” së Elbasanit

02/12/2014 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i ka akorduar “Normales” së Elbasanit titullin “Nderi i Kombit”, në 105-vjetorin e themelimit të saj. Kjor shenjë mirënjohjeje, më e madhja në vend për një institucion arsimor, iu dorëzua Universitetit të Elbasanit, i cili sipas Presidentit Nishani vazhdoi denjësisht hapat e shkollës “Normale”.

Më tej, Nishani nënvizoi historinë e “Normales” që nga krijimi i saj, duke theksuar se themelimi i kësaj shkolle të mësuesisë ishte vendimi më i rëndësishëm i Kongresit të Elbasanit. Por, gjithashtu, Presidenti tha se historia e arsimit në Shqipëri nuk është shkruar ashtu siç e meriton.

Edhe rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Liman Varoshi, i cili mori medaljen e akorduar nga Presidenti, u shpreh me shumë mirënjohje, por edhe i vënë përpara përgjegjësisë për ta merituar një nder të tillë.

Në vitin 1909, Kongresi i Elbasanit vendosi hapjen e shkollës së parë të mesme shqipe, në nivel kombëtar, shkollën Pedagogjike (Normalja), e cila i hapi dyert për herë të parë më 1 dhjetor 1909 me 140 nxënës nga e gjithë Shqipëria, Kosova e Çamëria. Si e para shkollë e mesme kombëtare në gjuhën shqipe, ajo u bë vatër e përgatitjes së mësuesve shqiptarë, të cilët përçuan dijen në çdo cep të vendit.

Top Channel