Reagon FSHF-ja: Të indinjuar nga Apeli

02/12/2014 00:00

Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar pas vendimit të Komisionit të Apelit të UEFA-s duke shprehur indinjatë për faktin që “nuk u morën parasysh faktet e vërtetuara të dhunimit të lojtarëve tanë, pushtimi i fushës nga tifozët serbë apo thirrjet raciste të tyre”.

Nëpërmjet një komunikate për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të internetit, FSHF-ja siguroi se do të vijojë të kërkojë drejtësi në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

Ja komunikata e plotë:

Federata Shqiptare e Futbollit u njoh të martën në mbrëmje me vendimin e Komisionit të Apelit, tek i cili shpresonte që të gjente më tepër drejtësi në lidhje me vendimin e Komisionit të Etikës dhe Disiplinës për ndeshjen Serbi – Shqipëri, zhvilluar në Beograd më datë 14 tetor 2014 dhe të ndërprerë në minutën e 41 të takimit. Ky vendim i këtij Komisioni la në fuqi të gjitha vendimet e Komisionit të Etikës dhe Disiplinës së UEFA-s në lidhje me këtë takim të papërfunduar.

Pavarësisht argumenteve juridike dhe fakteve të dokumentuara me foto dhe video, si edhe mbrojtjes profesionale të avokat Antonio Rigozzi dhe studiove ligjore të prenotuara nga FSHF-ja, përsëri asgjë nuk ndryshoi. Pavarësisht nga qëndrimi i njëjtë politik i Komisionit të Apelit, FSHF-ja është e indinjuar për mosmarrjen parasysh të fakteve të vërtetuara të dhunimit të lojtarëve shqiptarë. Të pushtimit të fushës nga tifozë dhe persona të inkriminuar, të thirrjeve raciste “vritini shqiptarët”, të hedhjes në fushë të sendeve të forta dhe fishekzjarreve dhe të shumë elementëve të pasigurisë.

Megjithatë, gjatë seancës së pyetjeve kanë dalë shumë fakte të reja dhe deklarata kontradiktore të zyrtarëve të ndeshjes që deklaruan për këtë takim, të cilat akoma më shumë na bindin se në shkallët e mëtejshme Shqipëria do të gjejë drejtësinë.

Federata Shqiptare e Futbollit, e pakënaqur me këtë vendim njofton opinionin dhe median se do të vazhdojë ta kërkojë drejtësinë pranë Gjykatës të Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë, edhe më shumë e bindur se i takojnë tre pikët e fitores së kësaj ndeshjeje. FSHF-ja do të vazhdojë betejën e saj ligjore, e qartë në qëndrimin e saj, se vetëm kështu do të fitojë vetëm futbolli. Një lojë e pastër, pa dhunë dhe pa racizëm.

Top Channel