Obama zgjedh pasuesin e Hagel: Ashton Carter. Pritet konfirmimi në Senat

02/12/2014 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama, pritet të nominojë ish-zyrtarin e Pentagonit, Ashton Carter, si Sekretarin e ri të Mbrojtjes.

Zyrtarë të administratës Obama thanë për BBC se Carter është në krye të listës së Shtëpisë së Bardhë për të zëvendësuar Sekretarin në largim Chuck Hagel, i cili dha dorëheqjen gjatë nëntorit.

Për emërimin e tij tashmë duhet edhe miratimi nga Senati amerikan i udhëhequr prej republikanëve.

Carter ka qenë dikur shef i blerjeve të armëve për Pentagonin, si dhe një ndihmëssekretar i Mbrojtjes nën presidencën e Bill Clintonit.

I arsimuar në Rhodes, ai ka një doktoraturë në fizikën teorike nga Universiteti i Oksfordit.

Hagel dha dorëheqjen dy vjet nga emërimi në postin më të lartë të mbrojtjes, e sipas raportimeve nën presionin për t’u larguar.

Gjatë fjalimit të dorëheqjes në nëntor, Hagel e konsideroi mbajtjen e postit të shefit të Pentagonit si “privilegjin më të madh” të jetë së tij. Veterani i luftës së Vietnamit dhe ish-senator republikan, 68-vjeçari tashmë pritet të qëndrojë në këtë detyrë deri sa Carter të konfirmohet nga Senati.

Hagel raportohet se ka qenë kritik i ashpër i strategjisë së SHBA-ve kundër Shtetit Islamik dhe i strategjisë së ndjekur me regjimin sirian. Presidenti amerikan tha se ishte “jashtëzakonisht me fat” që kishte pasur Hagelin në krah, si Sekretar Mbrojtjeje, si dhe e lavdëroi atë për forcimin e lidhjeve me trupat amerikane.

Top Channel