Pentagoni: Irani ka kryer sulme ajrore ndaj ISIS

03/12/2014 00:00

Irani ka kryer sulme ajrore në lindje të Irakut gjatë ditëve të fundit kundër militantëve të ISIS, ka thënë një zëdhënës i Pentagonit.

Admirali John Kirby, tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë bashkëpunuar me Iranin në luftën kundër Shtetit Islamik, të njëjtën gjë deklaroi edhe një zyrtar i lartë i ushtrisë irakiane, duke mohuar bashkëpunimin.

Komentet e admiralit, John Kirby pasuan raportet se avionët irakianë “F4 Phantoms” kanë sulmuar pozicionet e ISIS në provincën irakiane të Diyala. “Ne kemi të dhënë se ata kanë fluturuar mbi hapësirat e Irakut gjatë ditëve të fundit”, ka thënë Kirby, i cili shtoi se avionët amerikanë do të vazhdojnë të fluturojnë mbi Irak, në sajë të marrëveshjes me qeverinë vendase.

Gjenerali i Forcave të Armatosura të Iranit, Masoud Jazayeri, i cili mohoi bashkëpunimin me SHBA-në, shtoi se Irani i cilëson Shtetet e Bashkuara si përgjegjëse për situatën e krijuar në Irak.

Analistët ushtarakë janë shprehur më parë se Irani ka furnizuar Irakun me avionët ‘Sukhoi Su-25’ për të luftuar ISIS.

Koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja ka kryer me qindra sulme nga ajri kundër ISIS që prej muajt gusht. Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar më parë se do të ishte e papranueshme që Irani të bashkohej me koalicionin edhe pse në këtë rast armiku është i përbashkët.

Që nga revolucioni islamik i vitit 1979, SHBA-ja dhe Irani kanë pasur marrëdhënie të tensionuara. Shtetet e Bashkuara shkëputën lidhjet me Teheranin një vit pas pushtimit të ambasadës amerikane në Teheran, ku u morën peng 52 amerikanë.

Top Channel