Kallashnikovi ndryshon fytyrë

03/12/2014 00:00

AK-47, njohur gjërësisht si Kallashnikov, arma më e përhapur në botë, pëson ndryshimin më të madh që nga koha e dizejnimit fillestar të saj në vitin 1947.

Kompania ruse që prodhon këtë armë publikoi modelin e ri me ndryshime të mëdha nga modelet paraardhëse, por sërish duke ruajtur traditën.

Rusët thonë se prodhimi i ri është më i lehtë në peshë, më i lehtë për t’u përdorur, por edhe më i saktë dhe të gjitha këto me një çmim konkurues.

Veç armës tradicionale kompania hodhi në treg edhe një seri armësh gjahu. Por pavarësisht standardeve të respektuara dhe përmirësimeve të ndjeshme tregjet për këto armë do të jenë sërish ato tradicionale, pasi kompania është pjesë e sanksioneve të Perëndimit për rolin e Rusisë në konfliktin ukrainas.

Besohet se më shumë se 100 milion armë Kallashnikov janë shitur në mbarë botën, kryesisht në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine. Arma karakterizohet nga një çmim i lirë, është praktike dhe e lehtë për t’u prodhuar e mirëmbajtur.

Shpikësi i saj, Mikhail Kalashnikov vdiq vitin e kaluar. Në intervistën e fundit të dhënë ai tha se pas plagosjes në luftë kundër nazistëve të mirëarmatosur nisi punën për shpikjen e një arme për t’u bërë ballë atyre.

Megjithatë, arma mbërriti pak vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe nuk i shërbeu qëllimit të saj, por u bë pjesë e luftërave guerrile në shumë vende të botës duke u marrë jetën edhe qindra-mijëra qytetarëve të pafajshëm. Për këtë Kalashnikov do të deklaronte: “Arma është prodhuar për të siguruar paqen. S’është faji im për keqpërdorimet e saj”.

Top Channel