“Lufta ndaj ISIS mund të zgjasë me vite”

03/12/2014 00:00

Bombardimet e koalicionit ndërkombëtar kanë dobësuar ekstremistët e
ISIS-it, por sërish lufta ndaj tyre mund të zgjasë disa vite.

Kështu deklaroi në një takim me aleatët në Bruksel Sekretari i Shteti John Kerry.

“Ne jemi të bashkuar dhe të vendosur për të vazhduar këtë fushatë deri kur ta kemi fituar atë”, deklaroi Kerry.

Sipas tij bombardimet nga ajri kanë vështirësuar rrjetin e komunikimeve të xhihadistëve dhe zhvendosjen e tyre nga njëri rajon në tjetrin.

“Ndryshe nga këta terroriste, ne ndryshojmë në faktin se forca jonë na mbush me besim dhe optimizëm për të fituar betejën jo vetëm në Irak dhe Siri, por për të goditur çdo mbështetje që mund të ketë ISIS-in në mbarë botën”, tha Kerry.

Në takim merr pjesë Kryeministri irakian, Haider al-Abadi dhe Ministra të Jashtëm nga Europa dhe vendet arabe. Në qendër të bisedimeve është strategjia për t’u përballur me ISIS dhe parandalimi i luftëtarëve të huaj që i bashkohen radhëve të xhihadistëve.

Një aktor kyç në këtë betejë konsiderohet Turqia, por Ankaraja ka kushtëzuar lejimin për përdorimin e bazave të veta ajrore me vendosjen e një zone ndalim-fluturimi në rajonet siriane pranë kufirit të saj.

Ndërkohë, më herët Pentagoni deklaroi se Irani ka ndërmarrë sulme ajore kundër ISIS-it në Irak. Një pretendim i tillë është mohuar nga Teherani, megjithëse Republika Islamike njihet si mbështetëse e qeverisë së drejtuar nga shiitë në Irak.

Top Channel