Ngërçi për projektbuxhetin, Suedia pranë zgjedhje të parakohshme

03/12/2014 00:00

Tre muaj pasi ka ardhur në pushtet, qeveria e qendrës së majtë e Kryeministrit Stefan Lovfen në Suedi rrezikon të bjerë për shkak të projektbuxhetit që kundërshtohet nga opozita.

Buxheti parashikon rritjen e taksave për të financuar rritjen e shpenzimeve dhe hapjen e vendeve të reja të punës vitin e ardhshëm.

Si qendra, ashtu edhe ekstremistët e djathtë kundërshtojnë buxhetin. Në zgjedhjet e muajit shtator ekstremistët e djathtë dolën si partia e tretë më e madhe në vend duke siguruar 13 përqind të elektoratit dhe baza e programit të tyre është forcimi i politikave të emigrimit dhe azilit, që i zëdhënësi Mattias Karlsson i konsideron si “ekstremisht lehtësuese”.

Suedia u ka ofruar qendrim të përhershëm shtetasve sirianë dhe ka numrin më të madh të aplikimeve për azil krahasur me çdo vend tjetër të Bashkimit Europian. Zyra e Emigracionit thotë se çdo javë 2 mijë persona aplikojnë për azil dhe pjesa më e madhe e tyre janë sirianë, ndërkohë që vërehet edhe një rritje e numrit të afrikanëve, kryesisht nga Eritrea.

Të majtët social-demokratë janë në një koalicion me të gjelbërit duke siguruar një mazhorancë minimale prej 138 mandatesh në parlamentin 349 vendesh. Për të kaluar buxhetin Lofven i nevojiten 150 vota pro dhe për këtë ai u mundua të arrijë një marrëveshje me qendrën e djathtë.

Por bisedimet dështuan të martën dhe opozita e qendrës së djathtë ka dalë me një projektbuxhet të vetin të cilin Kryeministri Lofven e rrëzon duke deklaruar se më parë dorëhiqet dhe çon vendin në zgjedhje të reja se sa ta mbështesë atë.

Top Channel