PD: Të falen kamatvonesat, Rama nuk njeh realitetin

03/12/2014 00:00

Partia Demokratike vijon të mbajë qëndrimin e saj për vendimin e
Qeverisë për shlyerjen e debive të energjisë nga ana e të gjithë
konsumatorëve, duke kërkuar që zgjidhja e vetme është falja e
kamatvonesave.

Përmes sekretares së Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma PD vlerëson se duhen pezulluar faturat, që sipas saj janë abuzive, si dhe shqyrtimi i ankesave të abonenteve.

“Edi Rama po provon çdo ditë se nuk e njeh realitetin dhe vështirësitë ekstreme ku jetojnë shqiptarët. Kryeministri që po e zhyt në varfëri çdo vatër, çdo familje të vendit, del dhe thotë se shqiptarët i paskan paratë për të paguar energjinë, por nuk duan ta paguajnë atë. Paguajeni në dorë, thotë dhe ai do tregohet bujar, do u falë 80 përqind të kamatës. Kjo është skema e tij për pagesat, një skemë hiç më pak se sa kriminale.Kryeministri i akuzon qytetarët, të cilët mbijetojnë çdo ditë, se i paskan paratë të fshehura diku, po thjesht nuk duan të paguajnë energjinë. Shqiptarët, nuk kanë me çfarë ta paguajnë energjinë. Nuk kanë me se të paguajnë, sepse ke mbyllur dhe nuk ke krijuar asnjë vend të ri pune. Shqiptarët nuk kanë mese të paguajnë, sepse faturat që kanë vendosur xhelatët e tu të OSHEE-së, janë abuzive, janë kriminale. Dhe dhjetë herë më shumë janë abuzive dhe kriminale kamatëvonesat mbi to”, tha Duma.

Gjatë ditës Partia Demokratike denoncoi në komisariatin numër 3 të kryeqytetit shoqërimin në polici të një nëne dhe vajzës së saj 5-vjeçare, sepse nuk shlyenin dot faturat e energjisë. Sipas opozitës, ky veprim është një akt skndaloz në shkelje të konventave ndërkombëtare.

“Marrëzia, papërgjegjshmëria dhe pashpirtësia e kësaj qeverie nuk ka fund. Tek ky komisariat, komisariati numër 3 në Tiranë, është shoqëruar dhe mbajtur e izoluar një fëmijë 5 vjeç, çka duket nga fotot që vajza është mbajtur për një kohë të gjatë në qelinë e izolimit, në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Deklaratën për Mbrotjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe Deklaratën e Pekinit. Shoqërimi i fëmijës është bërë për shkak se nëna e saj nuk ka mundësi të paguajë energjinë elektrike”, deklaroi Ervin Saljani nga departamenti për të drejtat e njeriut në PD.

Ndërsa deputetja Albana Vokshi akuzoi qeverinë se ka lënë në mëshirë të fatit mbi 1.500 familje të varfëra, duke i hequr ato nga ndihma ekonomike. Në minibashkinë 11, zonja Vokshi dëgjoi banorë të zonës që kishin probleme ekstreme të mbijetesës.

Deputetja Vokshi tha se pushteti lokal nuk u jep dot zgjidhje, sepse qeveria ia ka marrë kompetencën e ndihmës sociale dhe po e përdor atë politikisht.

“Kjo është një lojë që bëhet me ju, ata tallen me ju. Erjon Veliaj iu vë kryqin disa familjeve, për të ndihmuar disa familje të tjera që janë pranë elektoratit të PS, në një kohë kur ju s’keni lekë të paguani ilaçet dhe dritat”, deklaroi Vokshi.

Top Channel