Rama e Panariti vizitojnë kompleksin blegtoral që punon për eksport

03/12/2014 00:00

Biznes i përpunimit të mishit për eksport në Itali dhe Kosovë i
instaluar në zonën e Petrelës, disa muaj më parë ishte një prej shumë
përfituesve të skemës së mbështetjes financiare nga Qeveria shqiptare
për bujqësinë.

150 milionë lekë, janë përdorur për shtimin e kapaciteve magazinuese me dy magazina të reja, të cilat janë parë nga kryeministri Edi Rama.

Të tilla pika përpunimi me cikël të mbyllur, tha ministri Bujqësisë Edmond Panariti janë një vlerë e shtuar për bujqësinë shqiptare.

“Sfida është që furnizimi të bëhet nga fermerët vendas. Do të inkurajojmë prodhimin e shtuar të mishit nga fermat tona. Ky investim është një sinjal i mirë në këtë drejtim, pasi bën lidhjen e prodhimit blegtoral me tregun. Janë këto pika të mëdha të grumbullimit, përpunimit, ambalazhimit që japin vlerë të shtuar”, tha Panariti.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se të tillë shembuj duhen promovuar, pasi për Qeverinë fshati është një prioritet kombëtar, ku janë duke u aplikuar politika të reja, për ta nxjerrë fshatin nga mbijetesa dhe lëmoshat elektorale.

“Rritja e gjithë hallkave të prodhimit rreth këtyre strukturave është e sigurtë, pasi të gjithë rreth e rrotull kanë një pikë referimi dhe në të njëjtën kohë është shumë e rëndësishme që të gjithë të vetëdijësohen se ne jemi në dispozicion të atyre që duan të marrin pjesë në betejën e madhe për të kaluar nga mesjeta, në kapitalizmin në fshat. Kapitalizmin, në kuptimin e marrëdhënieve totalisht të reja dhe të marrëdhënieve totalisht të reja me shtetin. Financojmë shumë më fort skemat që sjellin sukses, fitim, punësim, eksport dhe nuk kemi më punë me shpërndarjen e parave lart e poshtë që treten në lumin e madh të mbijetesës”, tha Rama.

Suela Popa, drejtoresha e AZHBR-së thotë se kjo skemë do të vijojë edhe vitin që vjen.”Në vitin 2015 ne do të dyfishojmë skemat që do të bëjnë të mundur jo vetëm mbylljen e ciklit, por mbi të gjitha rritjen e vlerës së shtuar në vendin tonë. Qëllimi ynë është rritja e eksporteve dhe arritja e standardeve europiane. Sfida jonë është trajnimi i përfituesve shqiptarë, sepse përveç fondeve të Qeverisë shqiptare, Shqipëria pret që të përthithë një portofol mjaft të rëndësishëm investimesh nga fondet e Bashkimit Europian”, tha Popa.

Top Channel