Lahm: Kthehem në shkurt ose mars

03/12/2014 00:00

Philipp Lahm do të kthehet të luajë për Bayern Munchen në muajin shkurt ose mars. Kapiteni i bavarezëve përjashtoi mundësinë që të rekuperohet në janar nga dëmtimi në kavilje që pësoi në mes të nëntorit.

“Përfundimisht nuk kthehem në janar. Mbase në shkurt ose mars. Nga eksperienca e di që nuk është mirë të nxitohesh. E mira e këtij dëmtimi është se do të jem në 100% të formës atëherë kur duhet, në fund të sezonit”, tha 31-vjeçari në një intervistë për ‘Bild’.

“Fatmirësisht nuk kam presionin e kohës sepse nuk kam asnjë Botëror apo Europian për të luajtur”, shtoi Lahm, i cili u tërhoq nga kombëtarja gjermane menjëherë pas triumfit në Botërorin e Brazilit.

Mbi ecurinë e shkëlqyer të Bayern Munchen në Bundesligë, ku kryeson i vetëm me 7 pikë diferencë nga vendi i dytë, kapiteni kërkoi shmangien e besimit të tepruar: “Titulli nuk është fituar ende, por nëse vazhdojmë të luajmë kështu do të shpallemi kampionë me siguri.”

Top Channel