Dhjetori, java e dytë do të sjellë dimrin me ngrica e dëborë

03/12/2014 00:00

Tri valë të ftohti, njëra pas tjetrës, parashikojnë meteorologët për Italinë. Ditët më të acarta, thotë “Corriere della Sera” do të jenë nga 7 deri në 13 dhjetor.

I ngrohti jonormal i periudhës së fundit do të zhduket brenda fundjavës që vjen. Rrebeshe shiu priten në Verilindje, e shumë shpejt rajoni do të përballet me thellimin e të ftohtit e ngricën. Nga java e ardhshme nis rënia e temperaturave në vend, pasojë kjo e fronteve të ftohta që vijnë nga Rusia.

Dëbora do të zbresë më së pari në Apenine, në 800 metra lartësi, e nga e marta e 9 dhjetorit nis acari me valën e tretë të ngricës, të parashikuar të enjten që vjen. Mes pohimeve e mohimeve të meteorologëve, një gjë duket se është e vërtetë, – shkruan gazeta italiane. – Ky ka për të qenë një dimër luhatjesh të mëdha.

Dëbora e parë e stinës ka mbuluar zona të tëra të Jugut të Francës, duke mbërritur deri në periferitë e Parisit. Ekspertët e kanë profetizuar prej javësh se moti më i butë, që prej 1964-s, në Europë do t’ia lërë vendin një dimri të ashpër.

“Bloomberg” shkruante në nëntor se kërkesa për ngrohje mund të rritet për shkak të një dimri më të ftohtë se ai i mëparshmi. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, mesatarja e temperaturave për 24 orë në Gjermani është aktualisht nën zero, ndërsa në Francë, termometri do të vazhdojë të ulet deri nesër, duke i sjellë vendit një të ftohtë nën normalen e kësaj periudhe të vitit.

Top Channel