Hoxhaj përplaset me Daçiç: Mos fol në emër të Kosovës

03/12/2014 00:00

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka replikuar me homologun e tij serb Ivica Daçiç, në takimin e koalicionit të vendeve aleate kundër ISIS, të thirrur nga sekretari i Jashtëm amerikan, John Kerry.

Sipas raportimeve të “KTV”, Hoxhaj ka reaguar ndaj Daçiç për shkak se ky i fundit në fjalën e tij ka folur edhe në emër të Kosovës.

“Ballkani është në rrezik nga radikalët pasi në rajonin e Rashkës, në jugperëndim të Serbisë dhe në Kosovë ekzistojnë pjesëtarë të radikalizuar të komunitetit islamik, të vendosur në qendra fetare që financohen nga jashtë”, ka thënë Daçiç.

Nga ana e tij, shefi i diplomacisë kosovare i ka kërkuar homologut serb që të mos flasë në emër të Kosovës dhe të mos keqpërdorë këtë takim për interesat e Serbisë.

“Unë kam kundërshtuar fuqishëm përmendjen e Kosovës në deklaratën e ministrit të Jashtëm serb, të cilit i kam kërkuar të mos keqpërdorë një takim të tillë, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, pasi ai nuk ka të drejtë të flasë në emër të Republikës së Kosovës”, ka treguar Hoxhaj për KTV pas takimit.

Top Channel