Ukrainë, incident bërthamor në Zaporozhia, asnjë rrezik

03/12/2014 00:00

Autoritetet ukrainase të energjisë kanë bërë të ditur se incidenti i ndodhur në një central bërthamor në Zaporozhia në Juglindje të Ukrainës nuk përbën aspak kërcënim, reagim ky i ardhur edhe pas një vlerësimi të mëvonshëm nga instituti bërthamor francez, IRSN.

Ministri i Energjisë, Volodymyr Demchyshyn, tha se incidenti ka ndodhur të premten në një prej 6 blloqeve të ndodhura në Zaporozhia, aty ku ndodhet centrali më i madh bërthamor i Europës, incident që është shkaktuar nga një qark i shkurtër në sistemin energjitik të saj. Incidenti nuk ka qenë i lidhur aspak me prodhimin e energjisë, tha ai në një konferencë për shtyp.

“Nuk ka asnjë kërcënim. Nuk ka madje as probleme me reaktorët”, tha Demchyshyn, i cili e ka marrë detyrën në qeverinë e re vetëm gjatë së martës. Ai shtoi se pret që centrali të rikthehet në aktivitetin normal më 5 dhjetor.

Një shpërthim i fuqishëm dhe rënie zjarri në centralin e Chernobilit, në Ukrainën e vitit 1986 që rezulton edhe aksidenti më i rëndë bërthamor i botës, u shkaktua nga një gabim njerëzor dhe një seri shpërthimesh të tjera çuan re të dendura me pluhur radioaktiv mbi Europën Veriore dhe Perëndimore.

Instituti francez për Sigurinë Bërthamore IRSN bëri të ditur se nuk kishte kapur asnjë radioaktivitet të pazakontë në Ukrainë, pas incidentit të së premtes, ndaj dhe ngjarja nuk përbën aspak rrezik për popullsinë e zonës apo mjedisin.

Top Channel