Lavrov-Kerry, takim në Bazel. Diskutime për çështje me interes të përbashkët

03/12/2014 00:00

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, si dhe homologu i tij amerikan John Kerry, priten të takohen në qytetin e Bazelit në Zvicër, gjatë së enjtes, për të diskutuar mbi një sërë çështjes me interes të përbashkët.

“Sekretari i Shtetit Kerry do të takohet me ministrin e Jashtëm rus Lavrov, nesër në Bazel, për të diskutuar një sërë tematikash me interes të përbashkët, përfshi edhe ato që kanë lidhje me Lindjen e Mesme”, tha një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit.

Një burim diplomatik i Rusisë konfirmoi planifikimin e takimit gjithashtu. Lavrov do të jetë në Bazel për një takim të ministrave të Jashtëm të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE), takim që do të zgjasë dy ditë, të enjten dhe të premten.

Marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit janë në pikën e tyre më të ulët që prej Luftës së Ftohtë, për shkak të krizës në Ukrainë, por edhe për çështje pretendimesh apo zënkash si konflikti në Siri, apo edhe tregtia e të drejtat e njeriut.

Ukraina ka rezultuat çështja më e nxehtë e përkeqësimit të marrëdhënieve diplomatike, si pasojë e të cilës SHBA-të dhe BE-ja kanë vendosur sanksione ndaj sektorëve të ekonomisë, energjitikës dhe financiare të Rusisë, që prej aneksimit të Krimesë.

Top Channel