Korrupsioni në Maqedoni përbën një problem serioz, pavarësisht renditjes më të mirë të vendit në krahasim me shtetet e rajonit në Treguesin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2014, të publikuar nga Transparency International.

Drejtuesit e zyrës së kësaj organizate ndërkombëtare në Shkup thonë se klasifikimi i Maqedonisë në vendin e 64-t në nivel global ka ndodhur falë fushatave reklamuese të qeverisë për thithjen e investimeve të huaja, ndërkohë që niveli i korrupsionin në vend, sipas tyre, mbetet shqetësues.

“Situata me korrupsionin edhe këtë vit mbetet shqetësuese pasi korrupsioni pengon dhe pamundëson zhvillimin ekonomik, sidomos për shkak se politikanët e korruptuar gjithnjë e më pak janë të interesuar për të siguruar kushte më të mira për ekonominë në vend dhe jetën e qytetarëve”, deklaroi Sllagjana Taseva, shefe e zyrës së TI në Shkup.

Duke prezantuar raportin për nivelin e korrupsionit në 175 vende të botës, Taseva tha se autoritetet dhe institucionet në Maqedoni janë treguar jo efikase në betejën kundër fenomenit.

“Mungon angazhimi i institucioneve dhe masat për zbardhjen e dilemave për raste të korrupsionit që janë të lidhura me bartësit e pushtetit. Duhet ta zhdukim fenomenin që i bën të paprekshëm disa persona që përfshihen në raste korruptive”, nënvizoi Taseva.

Përfaqësuesit e Transparency International bënë thirrje që në betejën kundër korrupsionit të bashkangjiten sa më tepër qytetarët dhe të denoncojnë me fakte rastet e këtij fenomeni.

Top Channel