Izrael, Netanyahu kërkon mandat të qartë më 17 mars

03/12/2014 00:00

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu apeloi këtë të mërkurë për një “mandat të qartë” prej votuesve në zgjedhjet e parakohshme që do të zhvillohen në vend, teksa sondazhet paraprake tregojnë se lideri i së djathtës pritet të marrë një tjetër mandat në krye të Izraelit.

Një ditë pasi Netanyahu shkarkoi dy ministra të qendrës në koalicionin e tij qeverisës për shkak të përplasjeve me ta, liderët e grupeve parlamentare ranë dakord që zgjedhjet të mbahen më 17 mars të vitit të ardhshëm. Deputetët miratuan gjithashtu edhe shpërndarjen e Parlamentit (i njohur si Knesset në Izrael) përpara se të përcaktohej data.

Yair Lapid, ministri i shkarkuar i Financave, dhe Tzipi Livni, i cili mbante portofolin e Drejtësisë, kanë irrituar Netanyahun duke i bërë jehonë kritikave ndërkombëtare kundrejt politikave të qeverisë së dominuar nga të djathtët për zgjerimin e blloqeve të banimit të hebrejve në tokën e pushtuar palestineze, të cilën këta të fundit e kërkojnë si pjesë të shtetit të pavarur të Palestinës.

Ata kanë kundërshtuar gjithashtu legjislacionin e miratuar nga kabineti për ta kthyer në ligj konceptin e Izraelit si një shtet-komb hebre. Kritikët e këtij projektligji, i cili ende përballet me pengesa në Parlament, thonë se ai term është diskriminues ndaj minoritetit prej 20 përqindësh të arabëve në Izrael.

Dy sondazhe të publikuara gjatë së martës parashikojnë fitoren e partisë Likud të Netanyahut, si më e madhja parti, por ende jo në mazhorancën absolute të Parlamentit 120 vendesh, nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin tani.

Ky rezultat do ta linte Netanyahun në një pozicion komod për të formuar një qeveri të tillë, që mund të konsiderohet si më e djathta e historisë 66-vjeçare të Izraelit, duke përfshirë këtu edhe partnerët e tij aktualë ultranacionalistë, si dhe disa aleatë të mundshëm të hebrejve ortodoksë, duke shmangur të moderuarit “armiq” të tij.

Top Channel