Shkurtohen procedurat doganore

03/12/2014 00:00

Përmes përmirësimit të sistemit informatik, dogana shqiptare nisi
aplikimin e procedurave të thjeshtuara, në zhdoganim për të gjitha ato
subjekte tregtare të cilat nuk kanë patur probleme në të shkuarën duke
eliminuar kontaktin fizik me doganierët dhe rritur transparencen.

Funksionimi kësaj skeme të re, ku malli zhdoganohet ne ambientet e biznesit, u demonstrua në një biznes në Tiranë, ku u ndoq edhe nga kryeministri Edi Rama.

Hapi i parë është mbërritja e kamionit me mallra në ambientet e kompanisë dhe jo në stacionet doganore.

“Kemi lehtësi, shpejtësi në kryerjen e operacioneve. Ne kemi edhe një përfitim monetar. Në kohën që këto rrinin nëpër porte, në dogana, të gjithë shoferët përballeshin me pagesa të ndryshme dhe kjo na ngarkonte me kosto të jashtëzakonshme. Jo vetëm këtë, por ndërkohë edhe disa kosto operacionale që ne kemi, i eliminojmë plotësisht. Arrijmë të kursejmë gati 4-5 mijë euro në muaj”, thotë një Vilma Nushi, e cila merret me biznes.

Si hapi i dytë është marrja në dorëzim nga personi i autorizuar i kompanisë, i cili shikon vulat dhe dokumentacionin për të kaluar më pas në operatoren e kompanisë, e cila nëpërmjet sistemit online kryen në pak minuta zhdoganimin përmes sistemit të përbashkët me doganën.  

Elisa Spiropali, Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave Shqiptare shpjegoi se sa është numri kompanive përfituese nga kjo skemë, të cilën e cilësoi si një inovacion në shërbim të biznesit, permes te ciles zerohen kostot e magazinimit.

“Knë mundësi aplikimi të gjitha kompanitë, së pari për t’u bërë pjesë e kompanive të thjeshtuara dhe pastaj për të marrë statusin e operatorit ekonomik. Ne kemi llogaritur që mbi 150 biznese që operojnë jo vetëm në Tiranë, por edhe biznese rajonalë do të mund ta marrin atë dhe do të mund të kryhet procedura, deri në shkurt të vitit që vjen. Deri në shkurt të 2015 do të kemi mbyllur edhe fazën e përzgjedhjes së kompanive”, thotë Spiropali.

Top Channel