Katër vite pas përmbytjeve në fshatin Shirq

03/12/2014 00:00

Fatkeqësive natyrore nuk mund t’u shpëtosh, por e vetmja mënyrë për të pasur sa më pak pasoja prej tyre është të dish të përballesh me to. Mbase kjo ndodhi edhe me banorët e Shkodrës katër vite më parë, kur përmbytjet i gjetën krejt të papërgatitur dhe nuk u kursyen asgjë. Fatmirësisht nuk morën jetë njerëzish.

Fshati Shirq, në Komunën e Dajçit, ishte një ndër zonat ku vërshimi i ujit ishte më i pamëshirshëm se kudo. Situata e rëndë asokohe monitorohej me helikopterë. Rruga tokësore ishte thuajse inekzistente. Sot fshati Shirq, në pamje të parë duket krejt i zakonshëm. Por, familjarët e zonës jetojnë ende mes mykut të dikurshëm dhe frikës nga ndonjë tjetër përmbytje.

Një divan, i lënë kushedi përse në oborr, është dëshmia më e dukshme e asaj periudhe të vështirë, së bashku me muret e lagura të shtëpisë dhe çizmet e llastikut. Luigj Macaj dhe familja e tij prej gjashtë anëtarësh janë përmbytur 7 herë brenda pak muajve, dramë e cila financiarisht u dëmshpërblye me vetëm 130 mijë lekë (të reja). Vitin 2010 ai nuk e harron lehtë.

“Pas përmbytjeve të vitit 2010 nuk më ka mbetur asnjë send, veç shpirtit. E rëndësishme është që më shpëtoi familja dhe gjysma e bagëtive. Të gjitha gjërat që kam pasur në shtëpi u shkatërruan. Kam qëndruar 1 muaj e gjysmë në pritje të ndihmave, na sillnin policinë dhe kërkonin që të largoheshim se nuk kishim siguri. Askush nuk vjen të pyesë nëse jemi gjallë apo vdekur, absolutisht asnjë”, thotë Luigji.

Ajo kohë ka pasur shumë momente të vështira.

“Momenti më i vështirë për mua ka qenë kur ngrita mbesën 5 muajshe në helikopter. Edhe sot tmerrohem kur e kujtoj, e kam fëmijën e djalit. Të paktën 15 herë e kam pasur në spital këto 4 vjet, edhe pse kur u lind ishte 4,5 kg. Deri kur ishte 5 muajshe tregonte sikur ishte 2 vjeçe. Ndërsa tani është e sëmurë, sepse jeton mes mykut”, shton më tej Luigj Macaj.

Pasi qëndroi disa muaj jashtë shtëpisë, rikthimi pas përmbytjeve ishte traumatik.

“Shtëpia, kur u rikthyem, ka pasur të paktën 15 cm baltë. Edhe gjarpërinj kam gjetur në shtëpi. Nuk e kisha hallin për veten, se unë e kalova, por të fusja fëmijën 5-muajshe në atë shtëpi ishte tmerruese”, thekson Luigji.

Frika se mund të ketë të tjera përmbytje e torturon se tepërmi. Në çdo kohë.

“Frika më e madhe mbi këtë tokë ajo është, të pasurit e përmbytjeve të tjera. A ka gjë më të tmerrshme se sa të kesh fëmijën e sëmurë dhe për më tepër ta dish se nga i vjen sëmundja? A mund të jetojë një fëmijë duke u rritur përditë në myk? Myku ka dalë edhe jashtë suvatimit, llogariteni vet sa myk ka brenda shtëpia. Unë, jo katër dhoma sa kam, por edhe dy dhoma të m’i japin diku, ku të mos më kapë uji, iki nga kjo shtëpi. Të paktën dy dhoma, që ai fëmijë që është e di se rritet siç duhet atje. Këtu nuk rriten fëmijët”, deklaron Luigji.

Top Channel