Historia e Fatjonës, si i ndryshoi jeta nga mbështetja në shkollë

03/12/2014 00:00

I vetmi moment i ditës, që mund ta shuajë vetëm për pak sekonda buzëqeshjen e Fatjonës, është ai kur mbaron mësimi. 13-vjeçarja nga Elbasani, e vetmja nxënëse me aftësi të kufizuara në shkollën e Komunës Papër, ndihet shumë e lumtur në shkollë. Dhe kjo, falë dashurisë që i falin shokët e shoqet e klasës, por edhe mësuesit, që i kanë ndenjur pranë këto pesë vjet pas aksidentit.

Jeta e Fatjonës ndryshoi krejtësisht që nga 1 marsi i vitit 2009. Atëherë 8-vjeçare, sapo ishte kthyer nga shkolla, e ndërsa po luante me një tullumbace u rrëzua nga sheshpushimi i shkallëve të shtëpisë pa kangjella.

Rënia nga lartësia i shkaktoi dëmtim në tru, madje dhe në kordat e zërit. Fatjona qëndroi 14 ditë në koma dhe kur u zgjua nuk mund të lëvizte asgjë tjetër veç syve.

“Kemi ndenjur 3 muaj në këtë situatë, duke mos ditur si ta mbanim. Nuk e kuptonim se çfarë kërkonte, qante shpesh, shikonte sikur donte të na thoshte diçka. Kur flinim e merrnim bashkë me gruan. Ka qenë shumë e vështirë”, thotë babai i Fatjonës.

Shokët dhe shoqet e klasës i vinin vazhdimisht për vizitë, e i sillnin buzëqeshjen e munguar në fytyrë. Madje ata bindën edhe prindërit, që Fajtonën ta kthenin sa më parë në shkollë, edhe pse ajo s’ishte në gjendje as të qëndronte në bankë.

“Kur vajta vitin tjetër për ta çuar në shkollë, pyeta mësuesen se çfarë mund të bënim. A mund ta linim edhe një vit pushim. Por mësuesja kujdestare më tha jo, sepse është e dëmshme edhe për vetë gocën, sepse shoqet e saj do jenë rritur ndërsa kjo do pësojë tjetër traumë me njerëz të rinj. E mira është që të rikuperohet së bashku me shoqet e saj këtu. Dhe ashtu bëmë. E çoja çdo mëngjes dhe e merrja kur mbaronte. Edhe mësuesja u përkushtua shumë, më shumë ka qëndruar pranë kësaj, se sa me të tjerët”, thotë më tej babai i saj.

Për një vit, Fatjona nuk lëvizte fare, e megjithatë i ati e çonte në klasë në krahë, në një karrige me rrota të përshtatur me bankën.

“Kur Fatjona erdhi sërish në klasë ishte diçka e bukur, sepse vendi i saj ishte ruajtur bosh nga shokët. Nuk mund të ulesh askush aty. Ishte bukur që u kthye, por ishte njëkohësisht edhe sfidë të shikoje Fatjonën në karrige me rrota. Gjendja në fillim ishte shumë e vështirë, sepse Fatjona nuk mund të mbante as lapsin”, tregon mësuesja e saj.

Nxënësit vetë mundësuan gjithçka për shoqen e tyre dhe nuk e linin vetëm në asnjë moment. Por, sfidat ishin të shumta dhe për vetë ata.

Pas një trajtimi në Itali, gjendja erdhi duke u përmirësuar. Vullneti i Fatjonës dhe buzëqeshja, që kishte filluar të shkëlqente sërish në fytyrën e saj, habiti dhe mjekët italianë, të cilët i thanë se pikërisht gëzimi do e shëronte këtë vajzë të vogël me vullnet të hekurt. Por, gjithnjë pa u shkëputur nga shkolla. Tashmë me një plan enkas për të, për të cilën mësuesja ishte trajnuar nga organizata “Ëorld Vision” dhe që e bënte mësimin më efektiv, si për Fajtonën ashtu dhe për nxënësit e tjerë.

“Fatjona nuk mund të ecte më në një hap me shokët për faktin e goditjes që pësoi në kokë. Por programi për të është bashkë me shokët, në kuptimin që zhvillohen të njëjtat tema, por duke u thjeshtëzuar. Pra duke punuar me objektivin më minimal të mundshëm të orës mësimore. Rezultatet e këtyre objektivave janë parë të jenë gjithmonë të suksesshme, pasi Fatjona ia ka arritur gjithmonë të mësojë atë që duhet”, thotë më tej mësuesja.

Kanë kaluar 5 vjet dhe ndryshimet e Fatjonës janë të ndjeshme. Edhe pritshmëritë janë të larta gjithashtu.

“Unë dua ta çoj aty ku ishte dhe them se do ia arrij. Lodhja, sakrificat tona nuk janë asgjë, përpara lumturisë së saj”, u shpreh babai.

Fatjona flet me vështirësi, por – me gjithë forcën e saj – ajo do të japë një mesazh për të gjithë bashkëmoshatarët që janë si ajo. “Kam parë shumë fëmijë si unë, që nuk kanë forcë të qeshin dhe rrinë gjithmonë të mërzitur. U them të gjithëve kurajo!”

Top Channel