Personat me nevoja të veçanta: Do t’i mbrojmë vetë të drejtat tona

03/12/2014 00:00

Deri më sot kanë qenë prindërit, ata të cilët i kanë përfaqësuar. Por, tani e tutje, këtë gjë do ta bëjnë vetë. Janë 20 të rinj me aftësi të kufizuara intelektuale, të cilët kanë krijuar një grup për mbrojtje dhe përfaqësim ligjor.

Prej afro një viti, ata janë trajnuar të gjithë për të përfaqësuar veten në institucione dhe të mbrojnë të drejtat e tyre.

Andriloni tani është më i vetëdijshëm mbi të drejtat e tij dhe të grupit që përfaqëson. Është 29 vjeç dhe, falë punës që është bërë me të, i riu është kthyer në një shembull pozitiv për grupin e personave me aftësi të kufizuara intelektuale.

“Është një djalë i veçantë me aftë specifike në komunikim. Një veçori e Andrilonit që mund të përmend është dëshira që ka ai për të ndihmuar të tjerët”, thotë Gjergji Lushka për Andrilonin.

E që një grup të jetë i strukturuar, sigurisht që duhet të ketë edhe një udhëheqës. Gjergji Lushka, punonjës social i qendrës “Ndihmoni jetën”, tregon se Dorisi e bën më së miri këtë rol.

“Dorisi ka aftësi dhe rolin e liderit, ai drejton një grup dhe është në gjendje por edhe i gatshëm të bëjë një organizim të takimit, nëse ne organizojmë një të tillë, apo nëse duam të organizojmë një lojë apo aktivitet tjetër së bashku”, thotë Gjergji për Dorisin.

Çdonjëri prej tyre ka një prirje të caktuar dhe secili ka të zhvilluar së paku një talent. Por, çfarë vlen për ta, është aftësia që kanë fituar për të kërkuar të drejtat mbi veten.

“Ata janë të aftë të japin shembullin e tyre për shoqërinë, sepse vërtet kanë vlera dhe cilësi për t’i shfaqur përpara shoqërisë”, tha Gjergji.

Grupi i të rinjve për mbrojtje ligjore, me aftësi të kufizuara intelektuale, në ditën ndërkombëtare të të drejtave të tyre u kanë dërguar një letër të hapur të gjitha institucioneve të linjës, për t’i sensibilizuar dhe për të tërhequr vëmendje mbi të drejtat e tyre.

Top Channel