PS: PD, zëdhenësja e anarkisë

03/12/2014 00:00

Taulant Balla,  nënkryetar i grupit parlamentar të PS i quajti qëndrimet
e PD për energjinë elektrike si zëdhënien e anarkisë dhe të moszbatimit
të ligjit, duke bërë thirrje siç tha ai që qytetarët të mos e paguajnë
as energjinë e konsumuar, as borxhet e energjisë.

“Partia Demokratike mund të mbetet gjithë jetën po të dojë mishërimi i pabarazisë para ligjit dhe i kulturës së degjeneruar politike të shtetit që drejtoi e rrënoi për vite të tëra kur Luli dhe Saliu ishin në qeveri. Por, qeveria e re shqiptare duhet mbështetur dhe inkurajuar që të shkojë më tutje me vendosmëri e kurajo, për vendosjen e ligjshmërisë e të barazisë së të gjithëve në raport me ligjin. Të gjithë ata që konsumojnë energji, duhet ta paguajnë atë dhe nuk ka njeri normal në botën normale që të argumentojë të kundërtën, mospagimin. Ka kaluar pak më shumë se 1 vit nga momenti kur qeveria e PD-së humbi me turpin e merituar zgjedhjet e 23 qershorit. Një vit më pas është qesharake që pushtetarët e rrënimit të djeshëm, të bëjnë moral e të japin leksione sot për varfërinë, papunësinë, krimin, korrupsionin apo plagën e hapur në CEZ-in e djeshëm dhe OSHEE-në e sotme”, u shpreh Balla.

Top Channel