Si zhvillohet mësimi në një klasë me fëmijë me aftësi ndryshe

03/12/2014 00:00

Një orë mësimi, në një klasë me një nxënës me aftësi të kufizuar, është shumë ndryshe nga një orë e zakonshme. Për një mësuese të vetme, përballë një klase me më shumë se 30 nxënës dhe e patrajnuar për të punuar dhe me një fëmijë me aftësi ndryshe, eksperienca e parë është shumë e vështirë.

“Ka pasur shumë momente kur qaja, shpesh kërkoja ndihmë te koleget për ta mbajtur qoftë edhe 10 minuta, sa fëmijët të merrnin programin që ishte për atë ditë”, thotë mësuese Fatimja.

Mësuese Fatimja, në mënyrë të pavarur u hyri me themel librave për autizmin, e megjithatë shpesh e gjente veten të papërgatitur përballë situatave që krijoheshin çdo ditë.

“Duhet patjetër që fëmijën ta mbaje përdore, qoftë edhe në tabelë, pasi ai mund të bëhej shumë herë agresiv gjatë orës së mësimit. Ose do të godiste shokët, ose do merrte mjete të tjera rrethanore dhe të bënte veprime të palejueshme. Ishte shumë e vështirë”, thotë ajo.

Por rezultatet filluan të dukeshin ditë pas dite.

“Arrita që në fund të semestrit të parë ai të mund të ulej të paktën gjatë 45 minutave, e të bënte punë me plastelinë, të bënte një ngjyrosje apo një ngjitje”, tha më tej ajo.

Edhe për mësuese Kismeten, eksperienca që po kalon aktualisht nuk është shumë e ndryshme.

“Shpresh herë prishet ora e mësimit, nxënësit fillojnë e shpërqëndrohen. Por nuk është se ka ndikuar në uljen e rezultateve të nxënësve”, tha mësuesja tjetër.

Veçoritë që kanë këta fëmijë të kërkojnë të përshtatesh.

“E veçanta e kësaj vajze është se, nëse një fëmijë ndërron bankën unë detyrohem të jem në gjendje gatishmërie, pasi ajo e merr atë fëmijë, e tërheq zvarrë për ta çuar te banka ku ishte. Nëse një fëmijë vjen pa uniformë, ajo bërtet e bëhet nervoze. Psikologia preu flokët dhe ajo ka qarë gjithë ditën”, thotë mësuese Fatimja.

Puna nuk fokusohet vetëm te nxënësit me autizëm, por edhe te pjesa e tjetër e klasës. Atyre u duhet folur për mënyrën se si të sillen me këta fëmijë dhe si t’i shohin si pjesë e tyre.

“Edhe nxënësit filluan ta duan Lorencin, ta afronin, sepse u mësuan me të. Nuk u bënte përshtypje asnjë lloj veprimi i Lorencit”, tha mësuese Kismetja.

Por puna duhet të vazhdojë edhe përtej klasës, me prindërit e nxënësve të tjerë.

“Në çdo takim me prindër më është dashur të them ‘Mendoje sikur ta kishe ti’. Edhe unë që i dua këta fëmijë autikë mendoj se çdo të bëja sikur ta kisha unë. Ndaj kthehem e jap maksimumin për të. Çdo mësues duhet të japë maksimumin”, u shpreh Fatimja.

Kjo ishte shprehja që funksionoi me ta!

“E kishim shumë të vështirë vjet, në festën e Abetares, ku kishim për të recituar një vjershë, ndërsa ajo këndoi një këngë. U befasuam të gjithë dhe qamë, unë dhe prindërit”, tha më tej Fatimja.

Këto dy mësuese, si dhe shumë të tjera që kanë pasur apo kanë në klasat e tyre nxënës me aftësi të veçanta, e dinë se cili është çelësi që mund t’i integrojë këta fëmijë.

“Asaj i pëlqen shkolla, nuk mungon asnjëherë kot. Vijimi rregullisht do të thotë që ajo po integrohet dhe unë jam e lumtur. Në radhë të parë duhet të kesh dashuri pa fund për ta. T’i mbash edhe në prehër, duke qenë nënë përpara se të jesh mësuese. Duhet ta njohësh në brendësi të saj, thellë”, thotë Fatimja.

“Me sakrificë shumë të madhe mund t’ia dalësh, sepse janë vetëm 45 minuta dhe të punosh me gjithë këta nxënës duhet shumë mund e durim”, tha Kismetja.

Por prezenca e një mësuesi apo psikologu ndihmës, ashtu siç e parashikon edhe ligji, do e bënte shumë të lehtë orën e mësimit për mësuesen dhe do sillte më shumë rezultat për fëmijën me aftësi të kufizuar.

“Po të kisha një mësues ndihmës do të ishte perfekte, pasi do ta ndihmonte edhe më shumë. 45 minuta nuk janë të mjaftueshme për të gjithë, sepse duhet t’i përkushtohesh më shumë Lorencos. Madje do ta ndihmonte edhe më shumë atë për të ecur edhe më mirë në procesin mësimor”, tha Kismetja.

Kjo duket edhe me rastin e Jonës, së cilës prindërit i kanë mundësuar një psikologe. Ajo është pranë vogëlushes gjatë gjithë kohës së mësimit dhe çfarë shpjegon mësuesja ia përcjell Jonës. Sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit, rreth katër mijë nxënës me aftësi të kufizuara janë të regjistruar në shkolla, në të gjithë vendin.

Top Channel