Harta e zonave të turizmit, qeveria shpall prioritetet

03/12/2014 00:00

Për të rritur numrin e turistëve dhe shtuar volumin e investimeve në këtë sektor, qeveria ka përcaktuar një hartë me zonat që do të kenë përparësi turizmin e që do të mbështeten përmes paketave lehtësuese fiskale.

Ato përfshijnë të 12 qarqet e vendit dhe janë ndarë mbi karakteristikat e kulturës dhe trashëgimisë, promovimit të mjedisit, turizmit aktiv, atij pasiv, shëndetësisë, edukimit, bujqësisë dhe agroturizmit, turizmit të parasë apo kazinove dhe trendeve të reja për t’u eksploruar.

“Kjo hartë përfaqëson çfarëdolloj vendimarrje për tipologji të ndryshme: ku është park i mbrojtur, ku është zonë e mbrojtur, ku është park kombëtar, ku është zonë arkeologjike, ku është zonë ekonomike dhe Tirana është zemra e të gjithë kësaj sepse është edhe qendër administrative, ka muze, ka aksin kryesor ekonomik dhe Duranën”, ka deklaruar Aldrin Dalipi, zv.ministër i Zhvillimit Urban dhe Turizmit.

Por pavarësisht asaj çfarë ofron natyra, historia apo trashëgimia kulturore, pikë e dobët e turizmit në Shqipëri vazhdon të mbetet mungesa e shërbimit.

“Ndërkohë që presim të na vijnë turistët e huaj, njësoj si investimet e huaja, nuk kemi menduar apo të krijojmë nivelin e duhur të shërbimit për t’i shërbyer shqiptarëve që të rrijnë në radhë të parë. S’po flas për tregun mbarëshqiptar që është shumë më i madh”, deklaroi deputeti i PS, Ervin Bushati.

Duke parë interesin e madh për objektet e periudhës së diktaturës si shembulli i “Bunkart”, drejtoresha e Turizmit Sonia Popa tha se po identifikohen objekte të tjera që Ministria e Mbrojtjes i ka jashtë përdorimit e që mund të shërbejnë si atraksione turistike për vizitorët.

Top Channel