Duka: Serbët na kërkuan kompromis. U zhgënjyem, kam besim tek KAS-i

03/12/2014 00:00

Vendimi i Komisionit të Apelit të UEFA-s ishte ashtu siç pritej nga pala shqiptare, pa asnjë ndryshim nga vendimi i mëparshëm i Komisionit të Disiplinës, por pavarësisht kësaj, kjo gjë ka sjellë zhgënjim edhe pse vetë presidenti Duka pohon se për një moment, gjatë kësaj seance të stërzgjatur, u duk se gjërat mund të ndryshonin.

“Në përgjithësi, Komisioni i Apelit në UEFA nuk i rrëzon vendimet e Komisionit të Disiplinës, por gjatë zhvillimit të seancës së djeshme u krijua përshtypja se diçka do të ndryshonte duke dëgjuar dëshmitarët: arbitrin dhe delegatin. Në fund, vendimi më zhgënjeu duke u nisur nga ajo që pashë gjatë ditës”, shpjegoi zoti Duka.

Pika kyçe e të gjithë ngjarjes që implikon Shqipërinë dhe që nuk na jep atë çka meritojmë, 3 pikëshin në tavolinë, është relacioni i gjyqtarit të ndeshjes, i cili ka shkruar se përfaqësuesja e Shqipërisë ka refuzuar të rikthehet në fushën e lojës. Një gjë të tillë gjyqtari britanik Atkinson, në cilësinë e dëshmitarit në Apelin e UEFA-s, është përpjekur deri diku ta zbusë apo ta thotë ndryshe.

“Deklarata e arbitrit ishte: “Unë nuk kisha vendosur nëse do të vazhdonte ndeshja, më parë pyeta palën shqiptare e më pas do të dilja të verifikoja nëse kishte kushte sigurie apo jo”. Nuk do të thotë se kishte një refuzim të një urdhëri për rifillimin e lojës”, tha presidenti i FSHF-së.

Ndërkohë, përpara fillimit të kësaj seance të Apelit, pala serbe ka kërkuar bisedime dhe gjetjen e një konsensusi me palën shqiptare, ku sigurisht kanë synuar favorizimin e tyre.

“Para nisjes së seancës, serbët kërkuan një shtyrje prej 30 minutash për të gjetur një konsensus me ne. Propozimi i tyre ishte që t’i kërkonim UEFA-s të përsërisnim ndeshjen pa tifozë në Beograd. Kundërpropozimi ynë ishte që të merrnim ndeshjen në tavolinë”, deklaroi zoti Duka.

Top Channel