Lufta ndaj terrorizmit dhe xhihadistëve, Tahiri në Londër

03/12/2014 00:00

Minstri i Brendshëm shqiptar, Saimir Tahiri është takuar të mërkurën në Londër me drejtuesit më të lartë të Antiterrorit Britanik, si dhe drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Antikrimit, që njihet ndryshe si FBI-ja britanike.

Duke folur për Top-Channel, zoti Tahiri tha se gjatë takimit me drejtorin e Politikave dhe Strategjive të Antiterrorit në Home Office, Jonathan Emmet, u diskutua për rritjen e nivelit të bashkëpunimit kundër terrorizmit, përmes shkëmbimit të informacionit mes palëve.

Gjatë takimit është folur edhe për ndihmën që Ministria e Brendshme britanike mund t’i japë Drejtorisë së re të Antiterrorit që është ngritur së fundmi në Shqipëri, e cila tashmë ka gati 100 oficerë që do hetojnë terrorizmin.

Asistenca britanike mësohet se do të jetë në formën e informacioneve dhe në ngritjen e kapaciteteve‎ përmes trajnimeve të agjentëve.

Ndërsa në takimin me Keith Bristow, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Antikrimit, u vlerësua bashkëpunimi i shkëlqyer ndërmjet NCA-së dhe Policisë Shqiptare, si dhe rezultatet e arritura në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht kundër trafikut të drogës dhe korrupsionit.

Ministri Tahiri deklaroi se zoti Bristow u shpreh i gatshëm që NCA të ndihmojë Ministrinë e Brendshme shqiptare në fazat e para të ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit, përmes ngritjes së kapaciteteve, informacionit, infrastrukturës dhe teknologjisë.

Një oficer i NCS‎-së do të qëndrojë në Shqipëri për të asistuar të gjithë procesin e formimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe për të lehtësuar bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy agjencive.

Bashkëpunimi i Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe mbetet shembullor në fushën e sigurisë dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Grupet kriminale shqiptare, sidomos ato të drogës kanë qenë në vitet e fundit dhe vazhdojnë të jenë mjaft aktive në Britani.

Disa dhjetra grupe të tilla janë asgjesuar gjatë 2014-s nga organizmat ligjzbatuese britanike dhe drejtësia e Mbretërisë së Bashkuar, e cila ka dhënë dënime të gjata për eksponentët e tyre.

Të enjten ministri Tahiri do të takohet edhe me homologen e tij britanike Teresa May.

Top Channel