Papa Françesku shkarkon komandantin e Gardës Zviceriane, shkak sjellja autoritare

03/12/2014 00:00

Papa Françesku ka shkarkuar komandantin e Gardës Zviceriane, teksa raportohet se Ati i Shenjtë nuk ka qenë i kënaqur me stilin autoritar dhe tepër strikt të oficerit.

Lajmi që njofton se Daniel Anrig nuk do të vazhdojë më të jetë një truprojë e Atit të Shenjtë u publikua në gazetën e përditshme të Vatikanit. Ai do të largohet nga Vatikani pas Krishtlindjes, pas një periudhe 8-vjeçare, ndërsa do të zëvendësohet nga zëvendësi i tij.

Që kur është zgjedhur në krye të Kishës Katolike, Papa Françesku ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të reformuar kishën dhe për ta bërë atë më të hapur ndaj publikut.

Njoftimi në “Observatorin Roman” bënte të ditur se “Ati i Shenjtë ka urdhëruar fundin e mandatit të Kolonel Daniel Rudolf Anrig më 31 janar, në përfundim të asaj që konsiderohet si zgjatje e mandatit të tij”.

Sjellja e Kolonel Anrig ka nxehur kolegët e tij, teksa një roje i Gardës Zviceriane ka thënë për median italiane se “ky është fundi i jnë diktatori”, pas lajmit për largimin e tij. Ende nuk është dhënë asnjë justifikim zyrtar për shkarkimin e tij nga Vatikani.

Garda Zviceriane, e përbërë nga 110 oficerë të lartë, është përgjegjëse për sigurinë personale të Papës. Ata kanë shërbyer për Papatin për 5 shekuj, duke ardhur për herë të parë në Romë për mbrojtjen e Papa Julius II, në vitin 1506.

Top Channel