Argjentinë, ultrasit vrasin futbollistin

04/12/2014 00:00

Dhuna e ultrasve në Argjentinë i ka marrë jetën një futbollisti. Grupimi me emrin “barrabravas” i skuadrës Chacarita, një nga tifozeritë më të dhunshme të futbollit argjentinas, vrau 33-vjeçarin Franco Nieto pas një ndeshjeje të kampionatit rajonal.

Lojtari i Tiro Federal de La Rioja u rrah brutalisht dhe u godit me një tullë në kokë pas përfundimit të ndeshjes ndaj Chacarita, takim që u luajt në Aimogasta.

Sipas gazetës ‘Clarin’ gjithçka nisi me një sherr mes lojtarëve në fushë. Arbitri ndëshkoi 8 lojtarë me karton të kuq, mes të cilëve edhe Franco Nieto. Gjakrat u qetësuan pasi ndeshja u pezullua, por ultrasit vendosën të hakmerreshin ndaj futbollistit të skuadrës kundërshtare dhe i zunë pritë jashtë stadiumit.

Ata e goditën me grushta, shkelma dhe me një tullë në kokë që i hapi një plagë të madhe.

Franco Nieto ndërroi jetë në spitalin Enrique Vera Barros pas 4 ditë agonie dhe pas dy operacioneve që nuk dolën me sukses.

Top Channel