2-vjeçari i mbijeton një nate në rrugë në një temperaturë -7 gradë

04/12/2014 00:00

Spitali i Krakovës në Poloni arriti të zgjonte nga koma një fëmijë 2-vjeçar i cili u gjet nga policia në rrugë pasi kishte kaluar natën në një temperaturë -7 gradë. Në momentin e gjetjes, vogëlushi ishte i veshur vetëm me pizhama dhe temperatura trupore i ishte ulur deri në 12 gradë.

Sipas Janusz Skalski, doktorit që është marrë me rekuperimin e tij, i vogli me emrin Adas ka hapur sytë dhe arrin të lëvizë duart, edhe pse ende është i lidhur me një aparat frymëmarrjeje.

“Është një mrekulli që mbijetoi duke marrë parasysh kushtet në të cilat u paraqit në spital”, thotë doktori.

Adasi u gjet të dielën në mëngjes në afërsi të një lumi, pranë shtëpisë së gjyshes së tij në fshatin Raclavice, pranë Krakovës.

Top Channel