Dule: Respektoni minoritetet. Rama: Jemi kryelartë për respektimin e pakicave

04/12/2014 00:00

Aleati në mazhorancën e majtë, kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule ishte përballë kryeministrit Rama në interpelancën e thirrur prej tij mbi situatën e minoriteteve në vend, duke shprehur edhe kundërshtinë për deklarimin mbi këtë çështje të kryeministrit në Beograd.

Vangjel Dule: Një ligj mbi minoritetet nacionale do të plotësonte vakumin ekzistues ligjor dhe do të qartësonte politikat ndaj minoriteteve. Këto i thotë Këshilli i Europës, nuk i thotë PBDNJ-ja.

Edi Rama:
Kemi mundësinë të jemi kryelartë, që në këtë aspekt, askush nuk mund të na japë asnjë leksion.

Vangjel Dule: Nëqoftëse juve, vërtet e ndjeni se vendi ynë mund të japë leksion, në lidhje me situatën e të drejtave të minoriteteve, t’i themi KiE-së, t’ju ftoni të mbani një leksion, me qëllim që edhe ata të mos bëjnë gabime të tilla, në raportimëet e tyre.

Edi Rama: Ai regjistrim është bërë në kushte të pafavorshme, nga njëra anë me një rezistencë shumë të madhe për një tjetër aspekt, që na bën përsëri ne kampion në Ballkan, për deklarimin e kombësisë. Sa për kampionin nga fundi, mos më provoko, se fole për ekonominë dhe për pensionet edhe është e vetmja arsye që më ka bërë seriozisht të them që për ne, ndër shumë të këqija që pati kriza ekonomike në vendin fqinj, pati këtë të mirë, që shumë nga ato pensionet abuzive ranë. Kjo është arritje, besoj për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Vangjel Dule: Himara është një hapësirë dhe nuk ka vend për spekulimet e natyrave të tjera, që ka një prani tradicionale dhe të konsiderueshme të minoritetit etnik grek.

Edi Rama: Himara nuk është minoritet. Himara nuk është një zonë që duhet trajtuar apo duhet parë, si një zonë ku qenkan prekur të drejtat e minoriteteve dhe në rast se ju keni pretendim për Himarën, unë do t’ju ftoja t’i bashkangjitni Tropojën, Kukësin, Dibrën, Shkodrën, Elbasanin dhe të gjitha me rradhë dhe t’i bënit paketë, siç i kanë bërë paketë, ata që sot mungojnë këtu.

Kreu i qeverisë megjithatë u shpreh i hapur që për çdo nismë që PDBDNJ do të propozojë të shihet me seriozitet për të bërë më të mirën për minoritetet, qëndrim që u përshëndet nga Dule.

“Më lejo që të shpreh falenderimet për deputetët dhe vëmendjen e tyre e të ministrave në interpelancë. E marrë në kuptimin pozitiv e jo për faktin se qëndruan për një avantazh psikologjik për kryeministrin”, tha Dule.

“Qëndrimi i grupit në sallë është shprehja më kuptimplotë e respektit për ty Vangjel dhe PBDNJ-së dhe për një marrëdhënie historike mes PS, LSI dhe partisë që ti drejton, pavarësisht ndonjë deviacioni historik në të shkuarën”, u përgjigj Rama.

Top Channel