Shqipëria: Moska të heqë embargon

04/12/2014 00:00

Përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë do të nisen në Moskë në përpjekje për të ndalur embargon që Rusia u ka vënë perimeve shqiptare e që hyn në fuqi më 8 dhjetor.

Ky vendim i Moskës erdhi pasi u zbulua se nga koha e vendosjes së embargos ndaj vendeve të BE-së importet me Shqipërinë ishin katërfishuar.

Kjo çoi në dyshime të autoriteteve ruse, të cilat në bashkëpunim me ato shqiptare nisën një hetim për të verifikuar origjinën e këtyre produkteve.

Ministria e Bujqësisë sqaron se në përfundim të hetimit rezultoi se në Republikën Çeke kryhej falsifikim i çertifikatave fito-sanitare të vendit tonë, të cilat më pas u vendoseshin prodhimeve të vendeve të BE-së. Këto mallra hynin në Rusi përmes Bjellorusisë dhe Kazakistanit, duke ndjekur thuajse të njëjtën rrugë me prodhimet shqiptare.

Ministria e Bujqësisë thotë se u morën masa për shtimin e elementëve të sigurisë së certifikatës fito-sanitare shqiptare, në mënyrë që ajo të mos falsifikohet si dhe iu kërkua autoriteteve ruse të shkëmbenin informacione lidhur me çdo import të dyshuar nga ana e tyre. Por mesa duket, kjo për autoritetet ruse ka qenë e pamjaftueshme.

“Qëndrimi ynë zyrtar është se ky veprim i palës ruse është i pajustifikuar sepse nga Shqipëria nuk rezulton asnjë mosrespektim i rregullave të eksportit të Federatës Ruse”, deklaroi ministri Edmond Panariti.

Eksportet me Rusinë janë të papërfillshme, por për drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë, dëmi është i madh pasi nga viti në vit ekportet shqiptyare drejt Federatës po shënonin rritje të fortë dhe vetëm nga viti 2012 në vitin 2013 eksportet janë gjashtëfishuar.

Kjo sipas ministrit Panariti vjen pasi tregu rus është ende i paeksploruar nga prodhimet shqiptare dhe përbën potencial për të ardhmen.

Top Channel